VJENË, 3 nëntor /ATSH-DPA/ – Udhëheqësit botërorë, përfshirë edhe të vendeve myslimane, kanë dënuar sulmin që vrau katër persona në Vjenë.
“Terrorizmi islamik është armiku ynë i përbashkët. Lufta kundër këtyre vrasësve dhe nxitësve të tyre është lufta jonë e përbashkët”, deklaroi kancelarja gjermane Angela Merkel në një mesazh.
“SHBA qëndrojnë me Austrinë, Francën dhe të gjithë Europën në luftën kundër terroristëve, duke përfshirë terroristët radikalë islamikë”, shkroi presidenti amerikan Donald Trump në Twitter.
“Duhet t’i tregojmë armiqtë tanë se për çfarë po luftojnë. Ne nuk do të dorëzohemi”, deklaroi presidenti francez Emmanuel Macron, pasi Franca gjithashtu pësoi sulme vdekjeprurëse islamike muajin e kaluar.
Presidenti rus, Vladimir Putin e quajti sulmin terrorist në Vjenë një “krim mizor dhe cinik, i cili edhe një herë konfirmoi natyrën çnjerëzore të terrorizmit”, në një deklaratë të botuar në faqen e internetit të Kremlinit.
“Popujt e civilizuar në të gjithë botën duhet të bashkohen për të mposhtur egërsinë e terrorizmit islamik të ringjallur,” shkroi kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu.
Institucioni lider fetar egjiptian, al-Azhar, nxiti komunitetin ndërkombëtar të tregojë solidaritet përpara terrorizmit dhe bëri thirrje që “të gjithë të bashkohen për të përhapur paqen në botë dhe për të hedhur poshtë dhunën dhe urrejtjen”.
“Ky sulm ka demonstruar edhe një herë se terrorizmi dhe ekstremizmi nuk kanë kufij dhe duhet të dënohen, për çfarëdo arsye”, theksoi zëdhënësi i ministrisë së Jashtme iraniane, Saeed Khatibzadeh.
“Ne pohojmë solidaritetin e mbretërisë me Austrinë në marrjen e të gjitha masave për të ruajtur sigurinë nga ekstremizmi dhe aktet e terrorizmit dhe dhunës në të gjitha format e saj”, theksoi Ministria e Jashtme e Arabisë Saudite.
Emiratet e Bashkuara Arabe shprehën “dënimin e tyre të vendosur të këtyre akteve kriminale dhe refuzimin e tyre të përhershëm të të gjitha formave të dhunës dhe terrorizmit që synojnë destabilizimin e sigurisë dhe stabilitetit në shkelje të vlerave dhe parimeve fetare dhe humanitare”.
“Ne dënojmë me forcë këtë sulm, u shprehim ngushëllimet tona familjeve të atyre që humbën jetën dhe u urojmë të plagosurve një shërim të shpejtë”, deklaroi Ministria e Jashtme Turke në një deklaratë.
“I tmerruar nga sulmet terroriste në Afganistan dhe Austri,” shkroi Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg.
“Jam thellësisht i tronditur nga sulmet e tmerrshme këtë mbrëmje në Vjenë. Mendimet e tona janë me popullin austriak. Jemi të bashkuar me ju kundër terrorizmit”, shkroi kryeministri britanik Boris Johnson në Twitter.
“Urrejtja nuk do të rrëzojë shoqëritë tona,” shkroi kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez në Twitter.
“Nuk ka vend për urrejtje dhe dhunë në shtëpinë tonë të përbashkët europiane”, shkroi kryeministri italian, Giuseppe Conte.
“Sulm i tmerrshëm ndaj Vjenës … Mendimet e mia më të ngrohta për viktimat, familjet e tyre dhe popullin austriak. Danimarka është krah për krah me Austrinë në këtë kohë të vështirë”, shkroi në Twitter kryeministri danez Mette Frederiksen.
“Sulme të tmerrshme në Vjenë. Mendimet e mia janë me viktimat, familjet e tyre dhe popullin austriak. Ne duhet të qëndrojmë së bashku kundër urrejtjes dhe dhunës”, shkroi kryeministrja norvegjeze, Erna Solberg në Twitter.
‘’Mendimet e mia shkojnë për viktimat dhe familjet e tyre. Ne të gjithë duhet të qëndrojmë së bashku kundër sulmeve ndaj shoqërisë sonë të hapur”, shkroi kryeministri suedez, Stefan Lofven në Twitter.
Ministrja e Brendshme finlandeze, Maria Ohisalo i dërgoi ngushëllime homologut të saj austriak, duke shtuar “ne nuk duhet të dorëzohemi ndaj frikës dhe për këtë arsye duhet të jemi të fortë kundër terrorizmit dhe urrejtjes”.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dënoi sulmin në Vjenë duke thënë se “mendimet e mia janë me familjet dhe miqtë e viktimave”.
“Thellësisht i tronditur dhe i trishtuar nga sulmet e padobishme terroriste në Vjenë. India qëndron përkrah Austrisë në këtë kohë tragjike. Mendimet e mia janë me viktimat dhe familjet e tyre’’, theksoi kryeministri indian, Narendra Modi në Twitter. /os/























