Ballina Ekonomi

Aksi i rindërtuar Boboshticë-Dardhë/ Fshati turistik me kulturën e kulinarinë e veçantë, lehtësisht i arritshëm

TIRANË, 3 nëntor/ATSH/ Rruga Boboshticë-Dardhë e rindërtuar e bën lehtësisht të arritshëm fshatin turistik të Dardhës në Korçë.
Kryeministri Edi Rama publikoi sot pamje nga kjo rrugë e ndërtuar me financime të qeverisë shqiptare.
“Aksi rrugor Boboshticë-Dardhë tashmë i rindërtuar, e bën lehtësisht të arritshme Dardhën me natyrën e mrekullueshme, kulturën dhe kulinarinë e veçantë. Ky investim me financim nga Qeveria shqiptare dhe zbatim nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në turizëm gjatë vjeshtës, por edhe në dimër kur kjo zonë mbulohet nga dëbora duke e kthyer natyrën në një burim për ekonominë lokale dhe në mirëqënien e banorëve”, – thekson Rama.
Dardha ndodhet rreth 17 km larg nga Korça. Me një numër të konsiderueshëm bujtinash dhe tavernash tradicionale, të cilat ofrojnë ushqim tradicional dhe tepër të veçantë, si dhe me pistën e skive që frekuentohet nga një numër i madh vizitorësh vendas dhe të huaj gjatë muajve të dimrit, Dardha ka të gjitha mundësitë për t’u shndërruar në model të zhvillimit rural.

Në Dardhë mund të shijoni po ashtu pushtetin e vjeshtës me gjithë ngjyrat që ajo ofron, ndërsa në stinën e dimrit Dardha me pjerrësitë e saj është një vend ideal për amatorët e skive. Pista e skive është në funksion të plotë, dhe është sot një nga pikat më tërheqëse dimërore të Dardhës.

Dardha dallohet për tradita të hershme dhe kostumet karakteristike apo artizanatin e përpunimit të drurit e shajakut.

Zhvillimi i Dardhës varet kryesisht nga turizmi, ndaj vlejnë për t’u veçuar edhe monumentet e natyrës si Guri i Vjeshtës, Rrëpira e Rahut, Bredhi i Vishnjës, apo burimet ujore të zonës që njihen për vlerat kurative./k.s/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakITALI – Di Maio: BE të miratojë një “Akt Patriotik” të stilit amerikan
Artikulli tjetërSistemi i pagave për pushtetin vendor do të rishikohet