HELSINKI, 19 tetor /ATSH-AFP/ – Grupi finlandez i telekomunikacionit, “Nokia”, do të prodhojë për NASA-n atë që do të jetë rrjeti i parë operativ i telefonisë celulare në Hënë, si pjesë e projektit të përhershëm të bazës njerëzore të agjencisë hapësinore të SHBA-së.
Rrjeti 4G, ultra-kompakt, efikas ndaj energjisë dhe rezistent ndaj hapësirës, i cili do të jetë rrjeti i parë celular në Hënë, do të vendoset në sipërfaqen e saj deri në fund të vitit 2022, përmes zbarkuesit me të cilin po punon kompania amerikane “Intuitive Machines”, sqaroi “Nokia” në një njoftim për shtyp.
Rrjeti, i cili do të vetëkonfigurohet gjatë vendosjes së tij në Hënë, duhet veçanërisht të bëjë të mundur sigurimin e lidhjes pa tel të çdo aktiviteti që do të duhet të kryejnë astronautët, duke lejuar shkëmbimin e komunikimit me zë dhe video, shkëmbimin telemetrik të të dhënave biometrike ose vendosjen dhe funksionimin e robotëve”, vazhdoi grupi.
NASA konfirmoi se ky projekt do të jetë rrjeti i parë celular në Hënë, ku hapat e fundit njerëzorë datojnë që nga viti 1972.
Dy astronautë amerikanë, përfshirë një grua, do të ecin në Hënë në vitin 2024, gjatë misionit Artemis 3 dhe NASA dëshiron të krijojë një bazë të përhershme atje, një parathënie për një mision të mundshëm në Mars./ /ervo/













