Ballina Aktualitet

Progresraporti i KE-së/ Soreca: Përparimi më i madh në sistemin e drejtësisë

TIRANË, 8 tetor /ATSH/ Kreu i Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, ambasadori Luigi Soreca prezantoi sot “Raportin Vjetor të Komisionit Europian për Shqipërinë” në Këshillin Kombëtar të Integrimit Europian.

Ai u shpreh se raporti vjetor jep një vlerësim më rigoroz, pasi, me ndryshimet e reja të metodologjisë, tanimë shtetet anëtare janë më të përfshira në procesin e hartimit të raportit.

Soreca, lidhur me kriteret politike, u shpreh se ka arritje të rëndësishme në një kontekst të vështirë, megjithatë ai theksoi se dialogu politik duhej përmirësuar. Lidhur me sistemin e drejtësisë, ai u shpreh se ky është drejtimi me përparimin më të madh e se zbatimi i Reformës në Drejtësi, në të gjitha elementët, ka hapa të dukshëm përpara.

Në këtë pikë, ai shfrytëzoi fjalën e tij për të ftuar të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët që kanë kaluar procesin e Vetting-ut, të aplikojnë për dy vendet e shpallura vakante për në Gjykatë Kushtetuese.

Soreca, bazuar në raport, vlerësoi ecurinë e Vetingut dhe punën e OMN-së. Lidhur me luftën kundër korrupsionit ai u shpreh se duhet punuar që të forcohet bilanci i hetimit, ndjekjes penale dhe dënimeve. Korrupsionin e cilësoi ende të shtrirë në vend dhe një shqetësim serioz.

Soreca vlerësoi raportin e GRECO-s, por shtoi se nuk duhej konsideruar gjithçka e mbaruar me atë vlerësim pozitiv, pasi priste më tepër dënime të nivelit të prerë për zyrtarët e nivelit të lartë.

Ambasadori i delegacionit të BE-së tregoi vlerësim për numrin në rritje të operacioneve të përbashkëta mes Shqipërisë dhe vendeve partnere, ndaj shtoi se ishte e rëndësishme që Shqipëria të marrë pjesë në ekipet e përbashkëta hetimore me vendet anëtare. Ky bashkëpunim, sipas tij, do të duhej të vijonte.

Ambasadori u shpreh se gjithashtu priteshin hapa të mëtejshme në drejtim të luftës ndaj pastrimit të parave, ai vlerësoi përparimin e administratës, ku shtoi se në kuadër të integrimit ajo duhej fuqizuar.

Soreca vuri theks te digjitalizimi, si formë për të ndërprerë lidhjet mes korrupsionit potencial dhe zyrtarëve. Ai shtoi se në raport me të drejtat themelore Komisioni ka parë përparim në aspektin legjislativ, në veçanti sa u takonte të drejtave të fëmijëve dhe drejtësisë për të miturit; por shtoi se përpjekjet për të drejtën e pronës dhe mbrojtjen e të drejtave themelore të pronarëve duheshin shtuar.

Ambasadori kërkoi miratimin e akteve nënligjore për ligjin kuadër të vitit 2017 për pakicat kombëtare.

Ai e konsideroi sukses në fushën e migrimit dhe azilit, si edhe në menaxhimin e kufijve. Si të vetmen fushë pa progres, ambasadori Soreca veçoi lirinë e shprehjes.

Soreca u ndal edhe në kriteret ekonomike, ku vlerësoi faktin që përpara pandemisë, papunësia ishte në rënie, eksportet po rriteshin, mirëpo pas saj, u shfaqën dobësitë sektoriale. Ai veçoi se konkurrueshmëria pengohet nga mungesa e ekspertizës teknologjike. Një vlerësim të veçantë ambasadori dha për politikën e jashtme, ku vuri theksin te përputhshmëria 100% e politikës së jashtme të Shqipërisë me atë të Bashkimit Europian.

Ai u ndal edhe te plani i investimeve, duke e konsideruar mundësi unike për Shqipërinë dhe të gjithë rajonin, për të përmirësuar integrimin ekonomik rajonal, në mënyrë që të tejkalohet kriza. Ambasadori shtroi si detyrë të rëndësishme krijimin e projekteve rajonale dhe shprehu gatishmërinë e BE për mbështetje.

Luigi Soreca përmbylli fjalën e tij duke thënë se vlerësimi i BE-së është që Shqipëria ka bërë përparim të dukshëm, e se është afër të gjitha kushteve, që duhen përmbushur para konferencës së parë ndërqeveritare, megjithëse, vendimi mbetet në dorën e shteteve anëtare. Ai ndau me mbledhjen e KKIE-së shpresën që konferenca e pare ndërqeveritare të ndodhë nën presidencën gjermane.

/gj.mima//a.a//r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBRITANI E MADHE – Londra dhe Kievi nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi postBrexit
Artikulli tjetërBRUKSEL – Stoltenberg: NATO do të largohet nga Afganistani