UASHINGTON, 6 tetor /ATSH-DPA/ – Kreu i Rezervës Federale Amerikane (FED), Jerome Powell argumentoi sot se qeveria duhet të ndërmarrë veprime të mëtejshme për të mbështetur ekonominë gjatë pandemisë ende në vazhdim të COVID-19.
“Mbështetja shumë e paktë nga qeveria mund të çojë drejt një rimëkëmbjeje të dobët, duke krijuar vështirësi të panevojshme për familjet dhe bizneset”, tha ai gjatë një fjalimi virtual para Shoqatës Kombëtare për Ekonominë e Biznesit.
“Megjithatë, rreziqet që lidhen me sigurimin e një mbështetjeje të madhe janë të vogla”, shtoi Powell.
Sipas tij, edhe nëse veprimet e politikave rezultojnë të jenë më të mëdha se sa duhen, ato nuk do të shkojnë dëm.
Powell theksoi se rimëkëmbja do të jetë më e fortë dhe do të lëvizë më shpejt, nëse politika monetare dhe politika fiskale vazhdojnë të punojnë krah për krah për të siguruar mbështetje për ekonominë, derisa ajo të dalë qartësisht nga kriza./ /ervo/












