KALIFORNI, 1 tetor /ATSH-AA/ – Kalifornia po shqyrton studimin e pagimit të dëmshpërblimeve për pasardhësit e skllevërve, me çka do të bëhet shteti i parë në SHBA që do të dëmshpërblejë skllavërinë.
Guvernatori i Kalifornisë, demokrati Gavin Newsom nënshkroi një projektligj që do të studiojë dhe zhvillojë propozime për dëmshpërblime të mundshme të pasardhësve të skllevërve.
“E kaluara jonë është skllavëri, racizëm dhe padrejtësi. Sistemet tona u ndërtuan për të shtypur njerëzit me ngjyrë. Është kohë e kaluar, ne e pranojmë këtë”, shkroi Newsom në llogarinë e tij në Twitter.
Projektligji i Asamblesë 3121 do të krijojë një task-forcë të përbërë nga 9 anëtarë për të studiuar dhe zhvilluar propozime për dëmshpërblim për afrikano-amerikanët.
“Projektligji do të kërkojë që task-forca të identifikojë, përpilojë dhe sintetizojë korpusin përkatës të dokumentacionit provues të institucionit të skllavërisë që ekziston brenda SHBA-ve dhe kolonive”, tha Newsom.
Megjithatë, projektligji nuk shpjegon se si do të përcaktohen dhe paguhen dëmshpërblimet dhe kush do të kualifikohet për dëmshpërblime.
Projektligji tha se mbi 4 milionë afrikanë dhe pasardhësit e tyre nga viti 1619 deri në vitin 1865 u skllavëruan në SHBA dhe koloni ndërsa skllavëria u sanksionua me kushtetutë nga viti 1789 deri në vitin 1865.
Skllavëria në SHBA u shfuqizua në vitin 1865 nga Amendamenti i 13-të. /os/




















