KE i UEFA-s: Datat e sezonit të ri, lejohen 5 zëvendësime për çdo ekip

TIRANË, 24 shtator /ATSH/ Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s u mblodh sot në Budapest të Hungarisë për të diskutuar lidhur me kalendarët e kompeticioneve ndërkombëtare ku marrin pjesë kombëtaret dhe klubet europiane, si edhe me ndryshimin e disa rregullave që imponohen nga pandemia COVID-19.

Në këtë mbledhje mori pjesë edhe presidenti i FSHF-së, Armand Duka, në cilësinë e anëtarit të Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s.

Komiteti Ekzekutiv vendosi sot, pas një marrëveshjeje me Shoqatën e Klubeve Europiane dhe Ligat Europiane, të rikuperojë datat e humbura për shkak të anulimit të ndeshjeve në mars 2020 dhe shtyrjes së EURO 2020 në verën e vitit 2021, duke zgjatur afatin e marsit dhe shtatorit 2021 në kalendarin e ndeshjeve ndërkombëtare FIFA në mënyrë që të zhvillohen tri nga dy ndeshje që ishin planifikuar. Kjo zgjidhje është implementuar tashmë, me miratimin e FIFA-s, për datat e ndeshjeve ndërkombëtare të tetorit dhe nëntorit 2020.

Në pritje të miratimit të FIFA-s, kalendari për ndeshjet e ekipeve kombëtare europiane tani do të jetë si më poshtë.

22-31 mars 2021 (3 data)

31 maj – 8 qershor 2021 Ndeshje miqësore para finaleve të Europianit

30 gusht – 8 shtator 2021 (3 data)

4-12 tetor 2021 (2 data)

8-16 nëntor 2021 (2 data)

21-29 mars 2022 (2 data), faza play-off e eliminatoreve të Europianit

Finalet e Ligës së Kombeve do të luhen më 6-7 tetor 2021 për dy gjysmëfinalet, ndërsa ndeshja finale dhe e vendit të tretë do të zhvillohen më 10 tetor 2021. Tri pjesëmarrëse të grupit 1 kanë shprehur interesin e tyre për të pritur finalet (Itali, Holandë dhe Poloni).

Komiteti Ekzekutiv i UEFA gjithashtu vendosi të lejojë deri në pesë zëvendësime për të gjitha ndeshjet që do të luhen në fazën e grupeve të Ligës së Kombeve, play-off-et e Eliminatoreve të Europianit, Eliminatoreve të Europianit për Femra, Champions League dhe Europa League duke nisur nga faza e grupeve, dhe Champions League për femra, për pjesën e mbetur të sezonit, në mënyrë që të lehtësojë ngarkesën e madhe të lojtarëve të krijuar nga kalendarët e ngjeshur të ndeshjeve ndërkombëtare 2020/21 për shkak të pandemisë COVID-19.

Si pasojë, numri i lojtarëve të lejuar në protokollin e ndeshjes do të rritet në 23.

Procedura që do të përdoret në dhjetor 2020 për të përcaktuar datat e ndeshjeve të eliminatoreve evropiane për Botërorin FIFA 2022 u ratifikua duke marrë parasysh një sërë elementesh, ku përfshihen vendet ku do të luhet gjatë dimrit, distancën e udhëtimit, numrin e ekipeve për grup, etj.

Komiteti gjithashtu vendosi që të gjitha takimet e korporatave të UEFA-s në gjashtë muajt e ardhshëm do të organizohen në Zvicër për shkak të kufizimeve aktuale dhe në mënyrë që të zvogëlojë barrën organizative në operacionet e organizatës.

Mbledhjet e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s të dhjetorit 2020 dhe marsit 2021 do të zhvillohen në Zvicër, dhe Kongresi i Zakonshëm i UEFA-s i marsit 2021 do të zhvendoset gjithashtu në Zvicër.

/gj.mima//a.a//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.