TIRANË, 22 shtator/ATSH/ Mjeku Arben Gjata, koordinator i taskforcës për COVID-19 dhe rektor i Universitetit të Mjekësisë tha se ndërhyrjet kirurgjikalet në QSUT po vijojnë si normalisht duke respektuar masat anticovid.
Në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, Gjata u shpreh se “ka filluar aktiviteti i plotë, natyrisht duke respektuar rregullat anticovid”. “Kemi një numër më të ulët operacionesh se zakonisht pasi duhen respektuar rregullat anticovid në pavijon, pra të mos ketë më shumë se dy pacientë në sallë, po ashtu duhet distancë. Personeli shëndetësor është i pajisur me të gjitha masat e nevojshme dhe zbaton protokollin anticovid, por ndërkohë të gjitha operacionet kanë filluar, të paktën shërbimet e kirurgjisë së përgjithshme”, u shpreh Gjata.
Gjata theksoi se personeli shëndetësor është i mjaftueshëm për operacionet që kryhen. “Natyrisht, tek Spitali Universitar i Traumës kanë kirurgjinë e planifikuar dhe vazhdojnë me urgjencat. Urgjencat nuk kanë ardhur tek ne akoma. Urgjencat për shkak të COVID mbeten tek Trauma”, u shpreh ai.
Ai ndau edhe shifra ku vetëm në një ditë kryhen rreth 7-8 operacione në një shërbim.
“Po ti marrësh të tre shërbimet bëhen 17-18 operacione në ditë. Ditën e djeshme ne kemi kryer 17 operacione. Puna po vijon normalisht por natyrisht me ritme pak më të ulëta për shkak të masave anticovid”, theksoi ndër të tjera profesor Gjata.
Lidhur me personelin shëndetësor, profesor Gjata theksoi se “nuk kemi pasur përhapje komunitare të covid këtu tek ne sepse personeli shëndetësor i ndjek me rigorozitet të gjitha masat dhe respektojnë protokollin në mënyrë strikte”
“Edhe të sëmurët i mbajmë me maskë pas operacionit. Pra, nuk kemi pasur përhapje mes personelit. Është sëmurur një person por është izoluar. Shumica e ka marrë Covid-in jashtë dhe nuk e kanë marrë në spital. Në situatë pune të zakonshme jemi”, u shpreh Gjata për ATSH-në. z.tosku/j.p/r.e/






















