Bashkia Tiranë hap sërish aplikimet për Kartën e Studentit

TIRANË, 16 shtator/ATSH/ Të gjithë studentët të cilët ende nuk janë pajisur me Kartën e Studentit, tani kanë sërish mundësinë për t’u pajisur me të.

Agjencia e Rinisë në bashkinë e Tiranës dhe Rezidenca Studentore Universitare Nr. 2 kanë vënë në dispozicion të studentëve një sportel i cili do të shërbejë për pajisjen me kartë në kohë reale të çdo studenti.

Karta e Studentit është një mjet i domosdoshëm për çdo studente, pasi i lehtëson ata në shumë shërbime duke ofruar skonto në qindra subjekte.

Nëpërmjet kartës së studentit, përfituesit do të kenë akses në shërbimet me çmime të reduktuara në masën 50 apo edhe 70 për qind, në fushën e institucioneve të artit dhe kulturës e në muze publikë, parqe kombëtare arkeologjike dhe monumentet e kulturës.

Një tarifë zero aplikohet edhe për shërbimet e ofruara në kuadër të edukimit artistik përmes artit, kulturës dhe turizmit kulturor në skena dhe ambiente të hapura, nga institucionet e artit dhe trashëgimisë kulturore.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.