UASHINGTON, 10 shtator /ATSH-DPA/ – Qeveria amerikane ka revokuar më shumë se 1 000 viza ndaj qytetarëve kinezë për arsye të sigurisë kombëtare që nga qershori, deklaroi një zëdhënës i Departamentit të Shtetit.
Vizat u revokuan në bazë të një deklarate presidenciale të 29 majit për të pezulluar hyrjen në SHBA për studentët dhe studiuesit kinezë që përbënin rrezik për sigurinë.
“Shpallja mbron sigurinë kombëtare të SHBA duke kufizuar aftësinë e Kinës për të shfrytëzuar studentët dhe studiuesit e universiteteve kineze në SHBA për të vjedhur teknologjinë, pronësinë intelektuale dhe informacionin e SHBA për të zhvilluar aftësi të përparuara ushtarake”, theksoi zëdhënësi në një deklaratë.
“Studentët e diplomuar dhe studiuesit përfaqësojnë një grup të vogël të numrit të përgjithshëm të studentëve dhe studiuesve kinezë që vijnë në SHBA. Ne vazhdojmë të mirëpresim studentë dhe studiues të ligjshëm kinezë që nuk promovojnë qëllimet e dominimit ushtarak të Partisë Komuniste Kineze”, thekson deklarata.
Deklarata vjen një javë pasi sekretari i Shtetit, Mike Pompeo tha se diplomatët e lartë kinezë do të kenë nevojë për miratimin e qeverisë amerikane për të vizituar kampuset universitare dhe për të takuar zyrtarë lokalë./ /os/






















