SHBA – Schenker: Katari partner aktiv në luftën kundër financimit të terrorizmit

UASHINGTON, 3 shtator /ATSH/ – Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Çështjet e Lindjes së Mesme, David Schenker do të vizitojë së afërmi Katarin, gjatë një turi rajonal që do të përfshijë gjithashtu Kuvajtin dhe Libanin dhe, gjatë një video-konference me këtë rast, ai e konsideroi Shtetin e Katarit si një partner efektiv në luftën kundër financimit të terrorizmit, sipas një njoftimi të ambasadës së Katarit në Tiranë.

”Përpjekjet, qëndrimet dhe legjislacioni i vendit kontribuojnë në parandalimin e financimit të fenomenit të terrorizmit”, deklaroi ai.

Zyrtari i lartë amerikan deklaroi se Katari është anëtar i rëndësishëm i koalicionit global kundër ISIS-it dhe partner i SHBA-së në të gjitha nivelet, pasi luan një rol aktiv në luftën kundër terrorizmit.

Ai tha se Uashingtoni i vlerëson përpjekjet efektive të Dohas në luftën kundër këtij fenomeni, brenda kornizës së partneritetit dhe marrëdhënieve të bashkëpunimit midis Katarit dhe SHBA-së.

Schenker theksoi se kriza aktuale nuk i shërben interesave të vendeve të Gjirit, por interesave të palëve të tjera dhe theksoi se administrata amerikane po punon fort për zgjidhjen e krizës në një kohë sa më të shpejtë.

David Schenker vlerësoi gjithashtu ndërmjetësimin e Katarit në bisedimet e paqes afgane midis SHBA dhe talebanëve dhe bisedimeve ndërafgane, çka rezultoi në nënshkrimin e një marrëveshje paqeje gjatë muajit shkurt në Doha.

Schenker tha se gjatë turit rajonal do të ndalet edhe në Liban.

“Shtetet e Bashkuara po punojnë me partnerët europianë për zgjidhjen e kësaj krize në përshkallëzim. Kriza libiane është kthyer në një krizë globale pas hyrjes së disa aktorëve rajonalë dhe ndërkombëtarë në konflikt”, vërejti ai./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.