Ballina Aktualitet

Askush tjetër përveç Partisë Socialiste nuk e çon dot Shqipërinë përpara

 

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/1029133550850557/?t=2

TIRANË, 1 shtator/ATSH/ Kryeministri Edi Rama nga Elbasani deklaroi sot se askush tjetër, përveç Partisë Socialiste, nuk e çon dot Shqipërinë përpara.

Në fjalën e tij pas mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Rama tha se Partia Socialiste është i vetmi emër që nuk vihet dot në diskutim.

“Emrat e tjerë, duke nisur nga i imi i pari, shkojnë e vijnë. Askush dhe gjithkush këtu, pa asnjë dallim, e ka potencialin për të qenë pjesë e skuadrës 2021, po askush nuk e ka të garantuar vendin në skuadër. Atë do ta fitojë përditë pa ‘nëse’ e pa ‘por’, sepse kjo kohë është e mjaftueshme për çdo deputet për të treguar ‘çfarë do të bëj unë për PS sot’, ndërsa koha ‘çdo të bëjë PS për mua’ ka mbaruar”, – tha Rama.

“Të gjithë janë të nevojshëm, po askush nuk është i domosdoshëm dhe këtë sezon të ri politik, mes mandatit që kemi dhe mandatit që duam, gjithkush duhet të japë jo thjesht gjithçka mundet, po gjithçka duhet për familjen tonë të madhe, për njerëzit që na kanë zgjedhur e për komunitetet ku çdonjëri ka marrë besimin e përfaqësimit të Partisë Socialiste”, – u shpreh Kryeministri Rama.

Në nisje të fjalës, Kryeministri Rama i cilësoi heroike përpjekjet që ka bërë qeveria me mbështetjen e grupit parlamentar të PS për të përballuar dy goditje të forta që mori vendi ynë në harkun kohor të një viti: tërmeti i 26 nëntorit dhe pandemia globale.

“Na u desh të përballemi edhe me një tërmet shkatërrues, edhe me një pandemi globale që vazhdon, a thua që s’na dilnin e tepronin sfidat e punës sonë 360 gradë në kthesën e fortë që e kemi futur Shqipërinë për ta nxjerrë në një lartësi të re. E kam kujtuar shpesh kryeministrin britanik Harold Macmillan, kur e pyetën se çfarë mund ta nxjerrë qeverinë jashtë kursit të saj. Disa thonë që e pyeti një gazetar, disa thonë që pyetjen ia bëri John Kennedi dhe përgjigjja ishte: “Ngjarjet, bir i dashur, ngjarjet”. Dhe tërmeti, dhe pandemia nuk janë ngjarje dosido, por janë nga ato ngjarje që tundin tokën nën këmbët e një vendi të tërë, e jo më të një qeverie. Por unë nuk e solla në hyrje të kësaj fjale shprehjen e famshme të Macmillan për të vazhduar me një përshkrim heroik të përpjekjeve, në fakt të jashtëzakonshme, që ka bërë qeveria jonë, me mbështetjen e çmuar të grupit parlamentar për të përballuar pasojat e lëkundjeve të tokës nga këto dy ngjarje”, – tha Rama.

/a.a//r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprak“Humbës kronikë”/ Sa më shumë të shohim tek ata, aq më pak kërkojmë nga vetja
Artikulli tjetërKandidatët për deputetë/ 3 cikle vlerësimesh online mes shtatorit dhe janarit për skuadrën socialiste të mandatit të tretë