Durrës/ Finalizohet operacioni “Silenciatori”, arrestohen 3 persona

TIRANË, 25 gusht /ATSH – I. Vata/ Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në bashkëpunim të ngushtë me Forcat e Posaçme Operacionale në DVP Durrës kanë finalizuar operacionin e koduar “Silenciatori”, ku 3 persona janë vënë në pranga.

“Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e personave që qarkullojnë me armë zjarri apo me lëndë narkotike, falë edhe kontrolleve të shtuara kohët e fundit me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë, bazuar në informacionet që Seksioni për Hetimin e Narkotikëve dispononte, në bashkëpunim me Forcat e Posaçme Operacionale, është organizuar dhe finalizuar operacioni policor i koduar “Silenciatori”, në kuadër të të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit: B. M., 28 vjeç; V. Z., 24 vjeç dhe E. K., 32 vjeç, i dënuar më parë për veprën penale “Vjedhja”,  të tre banues në Durrës”, bën të ditur Policia e Shtetit.

Po ashtu, Policia njofton se “gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin tip “BMW”, me  drejtues shtetasin B. M., në sediljen e pasagjerit, në një çantë dore, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një armë zjarri me silenciator dhe në bagazhin e mjetit një jelek antiplumb si i Policisë”, thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë së Shtetit.

“Nga hetimet dhe informacionet e marra, rezulton se armën e zjarrit dhe antiplumbin do t’i shisnin kundrejt vlerës 3000 euro. Gjatë kontrollit fizik dhe në banesën e  shtetasit V. Z., u gjetën 10 doza me lëndë narkotike të dyshuar Cannabis Sativa. Në bashkëpunim me Prokurorinë, vijon operacioni për identifikimin dhe kapjen e  personave që do të blinin sendet e kundërligjshme”, sqaron Policia.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Durrës për veprat penale “Armëmbajtje pa leje” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. /a.a/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.