Ballina Flash

FOTO/ Mrekullia natyrore e malit të Munellës, streha e rrëqebullit të Ballkanit

TIRANË, 19 gusht/ATSH/ Mali i Munellës, streha e rrëqebullit të Ballkanit, është një peizazh i përbërë nga shpate të thepisur e lugina të mbuluara me bimësi.

Në këtë zonë, ndryshe nga vende të tjera në Shqipëri, natyra ende ka ngelur e egër, pavarësisht ndërhyrjes së vazhdueshme njerëzore, duke plotësuar çdo kriter për tu shpallur si Zonë e Mbrojtur.

Shoqata e e ruajtjes dhe mbrojtjes së mjedisit natyror në Shqipëri (PPNEA) bën të ditur se “ky mal ndër vite ka strehuar rrëqebullin e Ballkanit, një specie e rrezikuar në mënyrë kritike, popullata e të cilit në Shqipëri mendohet të jetë jo më tepër se dhjetë individë”.

Ndërkohë, shton PPNEA, që kjo zonë mbart një potencial të jashtëzakonshëm, më e mira e Munellës mund të shijohet nëpërmjet turizmit të qëndrueshëm, i cili plotëson nevojën e komuniteteve lokale për zhvillim, duke mbrojtur, në të njëjtën kohë, natyrën dhe biodiversitetin.

“Vetëm nëpërmjet agro-turizmit dhe eko-turizmit kjo zonë mund të vazhdojë të jetë shtëpi për rrëqebullin e Ballkanit. Prandaj, vizitojeni malin e Munellës, bëni ecje në të, shijoni produktet lokale si djathi, qumështi, gjalpi, apo frutat e pyllit. Në këtë mënyrë jeni duke nxitur një model turizmi, i cili shkon krahë për krahë me natyrën”, – shprehet PPNEA.

PPNEA thekson se “harmonia midis njeriut dhe natyrës, në vende kaq të veçanta sa mali i Munellës, është një domosdoshmëri për ruajtjen e llojeve të rrezikuar, siç është rrëqebulli i Ballkanit”./k.s//a.a/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakITALI – Di Maio: I papranueshëm përdorimi i forcës në Bjellorusi
Artikulli tjetërKryeministri Avdullah Hoti fiton betejën me COVID-19