Talenti shqiptar/ Riselda Leba, mesazh vajzave: Futbolli është për të gjithë

TIRANË, 13 gusht /ATSH/ -Riselda Leba është vetëm 19 vjeçe, por ka rreth 9 vite që e ndan jetën mes shtëpisë dhe fushës së futbollit. Lojën e futbollit e nisi në lagje, derisa i ati pa tek ajo aftësi ndryshe nga të tjerët dhe e futi në ekipet e U-11 dhe U-13 të djemve në Laprakë.

Trajneri i Tirana AS e pikasi një ditë dhe e ftoi të bëhej pjesë e ekipit. Duket se që nga ajo ditë, për Riseldën momentet e lumtura nuk kanë ndalur, që nga ftesa në kombëtare e deri te kualifikimi me Vllazinë në grupet e Champions League.

Për rubrikën “Talenti Shqiptar” në fshf.org ajo tregon synimin parësor që ka, sakrificat që i janë dashur të bëjë, edhe pse e vogël si dhe i jep një mesazh të gjithë vajzave që luajnë futboll.

“Në moshën 10-vjeçare kam filluar të luaj futboll në lagje. Çdo pasdite e kaloja kohën duke luajtur deri sa u bëra pjesë e ekipit të U-11 të djemve, në Laprakë. Pastaj kalova në ekipin e U-13 të djemve sërish në Laprakë derisa në moshën 14-vjeçare, më pikasi trajneri i Tirana AS dhe më ftoi të bëhesha pjesë e ekipit që ai drejtonte, për të cilën luajta katër sezone”, tregon ajo.

Ajo shprehet se  njeriu i parë që e afroi me këtë sport ishte babai i saj.

“Në përgjithësi, ne vajzat në Shqipëri jemi të lidhura shumë me babain. Ai ka qenë shtysa ime më e madhe, që unë u bëra pjesë e futbollit. Besoj se pa mbështetjen e tij, unë do të isha duke e parë futbollin nga televizori sot”, thotë ajo.

Për marrëdhënien e saj me grupin dhe trajnerin, Leba tregon se, “qoftë në ekipin ku aktualisht luaj, qoftë edhe në kombëtare, personalisht kam një marrëdhënie të shkëlqyer si me grupin e vajzave, ashtu edhe me trajnerin. Mundohemi ta mbështesim njëra-tjetrën, sepse ndryshe nuk mund t’ia dalim”.

Ajo thtoë se momeni kur mori ftesën e parë nga kombëtarja ishte momenti më i lumtur në jetë.

“Nuk mbaj mend moment më të lumtur në jetë sesa momenti kur më erdhi ftesa për të qenë pjesë e kombëtares shqiptare. Ka shumë vajza e djem që e kanë ende ëndërr, unë po e jetoj dhe nuk ka emocion më të madh se të luash me atë fanellë. Emocion, kënaqësi, por nga ana tjetër, edhe shumë përgjegjësi”, thekson ajo.

Ajo shprehet se i gjithë ekipi i rishikon ndeshjet që luajnë. “Ndeshjet i rishikojmë gjithmonë me ekipin dhe analizojmë gabimet dhe mundohemi gjithmonë të përmirësojmë. Vllaznia vërtetë është kampione e futbollit për femra, për shtatë vite radhazi, por kjo nuk do të thotë që jemi të pagabueshëm. Ndonjëherë mërzitem sepse bëj gabime amatoreske, por mundohem t’i korrigjoj në ndeshjen e radhës”, thotë ajo.

E pyetur se cili ka qenë momenti apo episodi më i lumtur në karrierën e saj deri tani, ajo përgjigjet se, “Vllaznia e femrave ka bërë atë që asnjë ekip shqiptar, nga meshkujt dhe femrat, nuk e kanë bërë deri më sot: kualifikimin në Champions League. Arritje e madhe, emocione të papërshkruara, moment kulminant jo vetëm për karrierën time, por për të gjithë ekipin e Vllaznisë. Ende më mbushen sytë me lot nga gëzimi!”.

Ndër sakrificat që ka bërë ajo përmend se, “që në moshën 16-vjeçare jam detyruar të mos jem më aq afër me familjen sa më parë. Stërvitja dhe ndeshjet më kanë detyruar të shkëputem nga ata derisa tani, jetoj vetëm në Shkodër. Të qëndrosh larg familjes nuk është diçka e thjeshtë, por, pa sakrifikuar diçka, e di që nuk mund të fitoj gjë”.

Për synimet e të ardhmes Leba thotë se, “normalisht që çdo lojtar ëndërron e shpreson të luajë në nivelet më të larta në të ardhmen, por për momentin jam e fokusuar te Vllaznia, kemi Ligën e Kampionëve përpara dhe vetëm atë kam në mendje!”.

“Këshilla më e vyer që kam marrë ka qenë nga mami: “Gjatë jetës njeriu merr shumë eksperienca, të mira dhe të këqija, sido që të jenë, në fund çdo eksperiencë na vlen, prandaj nuk duhet të mërzitemi apo dorëzohemi, por duhet të vazhdojmë përpara!”, thotë ajo

Sa i përket idhullit në kombëtaren ideale ajo thotë se, “Odise Roshi është lojtari që më frymëzon dhe që më pëlqen tej mase. Ka shpejtësinë dhe di se ku ta dërgojë topin kur është në fushën e lojës”.

Në fund ajo ka një mesazh për vajzat të cilave u thuhet se futbolli është vetëm për djem. “Futbolli është i bukur, sepse është për të gjithë! Nëse vërtetë e duan futbollin, duhet të dëgjojnë zemrën dhe jo njerëzit!”, thotë ajo.

/gj.m/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.