IZRAEL – Qeveria e unitetit në krizë

TEL AVIV, 9 gusht /ATSH-DPA/ – Gati tre muaj pas formimit të saj, qeveria e unitetit të Izraelit duket se është në prag të kolapsit dhe zgjedhjet e katërta parlamentare në më pak se dy vjet gjithnjë e më shumë të mundshme, ndërsa anëtarët e koalicionit debatojnë buxhetin 2020-21.

Nëse buxheti i shtetit nuk miratohet deri më 25 gusht, Knesseti duhet të shpërndahet vetë, sipas ligjit të Izraelit, i cili përcakton se një buxhet duhet të miratohet brenda 100 ditëve nga dita kur betohet një qeveri.

Kryeministri Benjamin Netanyahu, i partisë së krahut të djathtë Likud, kërkon një buxhet vetëm për atë që ka mbetur nga viti 2020, kurse vendimet për vitin 2021 duhet të shtyhen për kur Izraeli të dalë nga kriza e koronavirusit.

Ish-rivali i tij, Benny Gantz, i aleancës centriste Bardheblu, këmbëngul për një buxhet për vitin 2020 dhe 2021.

Në marrëveshjen e koalicionit, në maj, të dy palët u zotuan të miratojnë një buxhet dyvjeçar./ /ervo/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.