JERUZALEM, 31 korrik /ATSH-AA/ – Qytetarë izraelitë zhvilluan një protestë para rezidencës së kryeministrit, Benjamin Netanyahu, me kërkesën për dorëheqjen e tij për shkak të gjykimit për korrupsion dhe arsyetimit se qeveria ka keqmenaxhuar luftën kundër koronavirusit të ri (COVID-19).
Sipas gazetës ”Yedioth Ahranoth”, qindra protestues hodhën slogane kundër Netanyahut duke e akuzuar për korrupsion dhe keqmenaxhim të luftës kundër COVID-19.
Ndërkohë, në anën tjetër një grup protestuesish mbështetës të Netanyahut u mblodhën për të shprehur mbështetjen e tyre ndaj kryeministrit izraelit.
Policia izraelite qëndroi e gatshme në shesh për të parandaluar konflikte të mundshme mes përkrahësve të Netanyahut dhe kundërshtarëve të tij.
Edhe javën e kaluar në qytete të ndryshme në Izrael u zhvilluan protesta kundër Netanyahut./ a.jor.






















