Ballina Ekonomi

COVID-19/ Shoqëritë e sigurimit, masa shtesë për përballimin e situatës

TIRANË, 31 korrik/ATSH/ Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare bën të ditur se po monitoron në vazhdimësi tregjet nën mbikëqyrje dhe, në linjë me rekomandimet e rregullatorëve të tjerë homologë, ka kërkuar marrjen e masave nga shoqëritë dhe kujdes të shtuar.

Bordi i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) miratoi së fundmi udhëzimin “Mbi pritshmëritë rregullatore ndaj subjekteve nën mbikëqyrje, për shkak të situatës së krijuar nga COVID-19”.

AMF udhëzon shoqëritë e sigurimit dhe shoqëritë administruese të marrin masat për të siguruar vazhdimësinë e biznesit duke përfshirë rreziqet që shkakton situata pandemike si dhe të depozitojnë në Autoritet planet e rishikuara për vijimin e veprimtarisë dhe përballimin e krizave.

Po ashtu, Bordi ka kërkuar të mbajnë nivelin e përshtatshëm të likuiditetit si dhe të marrin masa të tjera të nevojshme për të ruajtuar pozicionin e treguesve si dhe të informojnë menjëherë Autoritetin në rast të shkeljes së këtyre treguesve.

“Shoqëritë e sigurimit të rishikojnë kushtet e kontratave të sigurimit, për të reflektuar çdo ndryshim të ekspozimit të risqeve gjatë periudhës së pandemisë. Për produktet që lidhen me mbulimin nga pandemitë, të qartësohen mbulimet e tyre në raste të ndodhjes së ngjarjeve të siguruara. Të kryejnë një vlerësim të produkteve të cilat mund të ndikohen nga pandemia duke informuar personat e siguruar”, thuhet në udhëzimin e bordit të AMF-së.

/a.gjonaj/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakFjetorja e skifterit kthetraverdhë në luginën e Drinos, më e madhja në Europë
Artikulli tjetërEgjipti, partner i rëndësishëm në rajonin e Mesdheut