Ballina Flash

Sunak: “Hani jashtë!” për të mbështetur restorantet

LONDËR, 4 korrik /ATSH-AFP/ – Ministri i Financave, Rishi Sunak inkurajoi sot britanikët të “hanë jashtë për të mbështetur” punësimin në restorante, në ditën e parë të rihapjes së pub-ve, restoranteve dhe kafeneve në Angli, të mbyllura që prej mesit të muajit mars për shkak të epidemisë së koronavirusit.

Në një intervistë për të përditshmen “The Times”, Rishi Sunak u shpreh i shqetësuar përsa i përket punësimit të një gjenerate të shënuar nga koronavirusi.

“Ne nuk dëshirojmë ta humbim këtë gjeneratë”, deklaroi ministri, i cili kërkoi me çdo çmim që njerëzit të mund të rigjejnë punën që kishin para epidemisë.

“Duke ngrënë jashtë si mbështetje, ne mund t’i mbrojmë këto të punësuar”, kërkoi ai duke shprehur frikën se shumica e të prekurve do të ishin “gra”, “të rinj” dhe “punonjësit me kohë të pjesshme”.

Kjo deklaratë erdhi pasi Anglia ndërmori sot një hap tjetër kyç në kthimin e saj në normalitet, me hapjen për herë të parë të pub-eve, hoteleve, restoranteve dhe kafeneve që prej vendosjes së masave kufizuese më 23 mars për të parandaluar përhapjen e COVID-19./ /ec/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakVeliaj uron maturantët për përfundimin e provimeve: Dija, bileta e vetme drejt së ardhmes
Artikulli tjetërFOKUS – Bilanci i pandemisë së COVID-19 në botë, mbi 11 milionë raste