UASHINGTON, 23 qershor /ATSH-AFP/ – Gjiganti amerikan i shitjeve me pakicë në internet “Amazon” njoftoi sot krijimin e një fondi investimesh me dy miliardë dollarësh për të financuar kompanitë që do të arrijnë një ekonomi me zero karbon.
“Fondi i Përkushtimit ndaj Klimës do të mundësojë zhvillimin e teknologjive dhe shërbimeve që do të lejojnë “Amazon”-ën dhe kompanitë e tjera të bëhen neutrale përsa i përket karbonit, deri në vitin 2040″, tha kompania në një deklaratë.
“Amazon” administron një rrjet gjigant logjistik në të gjithë botën për dërgimet e tij por gjithashtu ka zhvilluar një ofertë informatike të çmaterializuar, e bazuar në ferma serverësh që konsumojnë sasi të mëdha të energjisë.
Nga ky fond do të kenë mundësi të përfitojnë bizneset e të gjitha përmasave, nga kompanitë fillestare në ato të krijuara dhe në të gjithë botën./ /ervo/












