TIRANË, 12 qershor/ATSH/ Partia Demokratike i ka nisur një kërkesë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që të thërrasë mbledhjen dhe t’i heqë mandatin kryebashkiakut të Matit, Agron Malaj.
Në kërkesën për shqyrtimin e rezultatit të verifikimit të Prokurorisë së Përgjithshme për funksionarin publik Agron Malaj, PD shprehet se, “nga rezultatet verifikimit të Prokurorisë së Përgjithshme rezulton se shtetasi Agron Rufat Malaj, është i dënuar me 10 muaj burgim me vendimin nr. 57, datë 07.10.1999, të Gjykatës së Rrethit Mat, për veprën penale të parashikuar nga neni 278/2 i Kodit Penal të kohës”.
Sipas ligjit, ky dënim përbën shkak për ndalimin e ushtrimit të funksioneve publike. Subjekti Agron Malaj, ndodhet në kushtet e ndalimit për të kandiduar dhe për t’u zgjedhur në një funksion të lartë publik, shton PD.
PD thekson se, shtetasi Agron Malaj përmbush të gjitha kushtet për aplikimin e ndalimit për të ushtruar një funksion publik.
Partia Demokratike në cilësinë e iniciuesit të kësaj procedure administrative, kërkon nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve thirrjen pa vonesë të mbledhjes së KQZ dhe përfshirjen në rend dite të shqyrtimit të rezultatit të verifikimit të Prokurorisë së Përgjithshme për funksionarin publik Agron Malaj si dhe miratimin e rezultateve të organit të prokurorisë, që subjekti Agron Malaj, është në kushtet e ndalimit dhe se ndaj tij duhet të merret masa e ndalimit të menjëhershëm të ushtrimit të mëtejshëm të funksionit publik.
Partia Demokratike rithekson nevojën e zbatimit të ligjit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për të garantuar funksionimin demokratik të institucioneve. Në këtë rast, anëtarët e KQZ-së, duhet të zbatojnë ligjin dhe të mos i nënshtrohen urdhrave politik të Edi Ramës, pavarësisht se ai është personi që ka emëruar në detyrë edhe Agron Malajn, edhe shumicën e anëtarëve të KQZ.
/gj.mima/j.p/r.e/























