TIRANË, 1 qershor/ATSH/ Ministri i Shtetit për Rindërtimin njëkohësisht dhe koordinator për hartimin e Planit Kombëtar të Rimëkëmbjes, Arben Ahmetaj, deklaroi sot se janë 628 aplikime për instrumentin e parë të garancisë sovrane janë miratuar 309 me një vlerë gati 40 milionë dollarë.
Gjatë një deklarate për shtyp, ministri Ahmetaj tha se interes ka patur edhe për garancinë e dytë sovrane, e cila sapo ka nisur.
“Janë deri tani disa dhjetëra aplikime në 12 bankat e nivelit të dytë”, u shpreh ministri.
Për t’i ardhur në ndihmë bizneseve në situatën e krijuar prej infeksionit COVID-19, qeveria vuri në dispozicion instrumentin e garancisë sovrane.
Në paketën e parë financiare, të prezantuar në mars u parashikua një garanci sovrane me vlerë 100 milionë dollarë për bizneset në vështirësi që të merrnin kredi në banka për të paguar pagat e punonjësve, ku qeveria merrte përsipër edhe shlyerjen e interesave.
Ndërsa në paketën e dytë financiare, të prezantuar në prill, një tjetër garanci sovrane në vlerën e 150 milionë dollarëve u vu në dispozicion të biznesit për të marrë kredi për likuiditet.
Në këtë instrument, qeveria nuk do mund të garantojë 100% garancinë sovrane për bizneset, por vetëm 60%, ndërsa 40% do ta mbajë banka. /a.gjonaj/j.p/r.e/






















