Ballina Aktualitet

Gara për SPAK/ KLP miraton procedurat e vlerësimit përfundimtar dhe renditjen e 4 kandidatëve  

TIRANË, 15 maj/ATSH/ Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka vendosur sot miratimin e projektvendimit “Për bashkimin e procedurave administrative të filluara mbi bazën e vendimeve nr. 19, datë 27.01.2020 dhe nr.92 datë 10.04.2020 të Këshillit. Vlerësimi përfundimtar dhe renditja e katër kandidatëve të kualifikuar për prokuror në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, të shpallura me vendimet nr. 19, datë 27.01.2020 dhe nr.92 datë 10.04.2020, do të jetë i vlefshëm për plotësimin e të tre vendeve vakante në këtë Prokurori.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka zhvilluar ditën e sotme mbledhjen plenare të radhës në prani të 9 anëtarëve, përfaqësuesve të misioneve ndërkombëtare EURALIUS, OPDAT dhe Ministrisë së Drejtësisë. Në kuadër të masave të ndërmarra për parandalimin e COVID-19, edhe mbledhja e sotme është zhvilluar përmes platformës online.

Sipas rendit të ditës, Këshilli ka vendosur miratimin e projektakteve të vlerësimit, në kuadër të rivlerësimit kalimtar për prokurorët Alket Mersini, Ledina Riza, Arben Allajbeu, Arben Dyla, Ardian Braho, Bujar Memia, Dritan Marku, Saimir Smaka, Genci Qana. Një kopje e këtyre raporteve i dërgohet menjëherë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit.

Këshilli ka marrë në shqyrtim projektvendimin “Për miratimin e komenteve dhe sugjerimeve ndaj raportit të Shkollës së Magjistraturës me rezultatet e vlerësimit paraprak të kandidatëve që kanë aplikuar për pranimin në Formimin Fillestar në vitin akademik 2020-2021, profili prokuror”, përmes të cilit ka kërkuar rivlerësimin e përvojës profesionale të kandidatit, bazuar mbi kriterin e përcaktuar nga neni 28, pika 1, shkronja “q”, të ligjit 96/2016 dhe jo  mbi bazën e nenit 10, pika 1, shkronja “f” të Rregullores së Shkollës së Magjistraturës. Projektvendimi është miratuar me shumicë votash.

Në përfundim, Këshilli vendosi edhe miratimin e veprimtarisë jashtë funksionit për prokurorin Kreshnik Ajazi, aktualisht drejtues i Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan konkretisht si pedagog i jashtëm pranë Kolegjit Universitar të Biznesit Tiranë, për periudhën e semestrit të II, të vitit akademik 2019-2020, si lektor në lëndën “Procedura Penale”.

/gj.mima/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakSllovenia prezanton regjimin e ri të udhëtimit për shtetasit e huaj
Artikulli tjetërMeta takim me klerikë në Myftininë e Kavajës: Përballja me pandeminë kërkon solidaritet