HAGE, 4 prill /ATSH-ANSA/- Procesi i apelit në procesin gjyqësor ndaj Ratko Mladic, ish-udhëheqësi ushtarak i serbëve të Bosnjës i dënuar me burgim të përjetshëm për genocidin në Srebrenicë, me akuzën për krimet e luftës dhe kundër njerëzimit do të mbahet në 16-17 qershor, njoftoi Mekanizmi Ndërkombëtar për Gjykatat Penale, në Hagë.
Procesi i apelit fillimisht ishte caktuar për në mes të marsit, por ishte shtyrë për shkak të operacionit të cilit i ishte nënshtruar ish-gjenerali, ashtu edhe për urgjencën shëndetësore, të lidhur me pandeminë.
Ratko Mladic, 78 vjeç, në vitin 2017 u dënua nga gjykata e Hagës me burgim të përjetshëm për genocid dhe krime lufte dhe kundër njerëzimit për masakrën e 8 mijë muslimanëve boshnjakë në Srebrenicë në korrik 1995, për rrethimin e Sarajevës dhe për persekutimet e muslimanëve dhe kroatëve në konfliktin 1992-1995. /os/














