Programi Fulbright / Aplikime në nivelin e studimeve master në Shtetet e Bashkuara

TIRANË, 2 maj /ATSH – I. Vata/- Ambasada e SHBA-së në Tiranë fton studentët e interesuar për të ndjekur master në Shtetet e Bashkuara nëpërmjet bursës Fulbright.

Ambasada e SHBA-së përcjell rastin e Fiona Kuqit, studente e Fulbright në Universitetin e Kolegjit Akron për administrim biznesi. Ajo kujton vjeshtën e kaluar, kur mbërriti për herë të parë në universitet. “Takimi i mirëpritjes së studentëve ishte ndërveprimi im i parë me universitetin dhe isha shumë nervoze. Por pritja e ngrohte, takimi me bursistë të tjerë Fulbright dhe me studentë nga vende të ndryshme, si dhe seanca informuese për studentët e rinj, më dha shumë zemër. Më vonë, kuptova se tradita e universiteteve amerikane për të mirëpritur studentët dhe për t’i pajisur ata me të gjithë informacionin e duhur është çelësi i suksesit të tyre”, shprehet Fiona.

Ambasada e SHBA-së shpalli thirjen për të gjithë studentët e interesuar që dëshirojnë të ndjekin studimet master në Shtetet e Bashkuara nëpërmjet bursës Fulbright të aplikojnë.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës pranon aplikime për vitin akademik 2021-2022 për Programin Fulbright për Studentë të Huaj. Programi Fulbright për Studentë të Huaj është një program një ose dy vjeçar për profesionistë të rinj dhe ata që kanë përfunduar studimet, të interesuar të ndjekin studime në nivelin Master në Shtetet e Bashkuara.

“Në bazë të një procesi të hapur konkurimi, bursat u jepen kandidatëve që shfaqin më së miri përkushtimin në detyrë si në sektorin publik dhe atë privat, si edhe potencial për të sjellë një qasje pozitive në të ardhmen e Shqipërisë”, shprehet ambasada.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.