Ballina Flash

Lezha përgatitet për sezonin turistik

TIRANË, 1 maj/ATSH/ Në Lezhë kanë nisur ndërhyrjet për përgatitjen e sezonit turistik.

Nënkryetari i bashkisë Lezhë, Ermal Pacaj informoi mbi vazhdimin e projekteve, si dhe diskutimeve mbi mënyrën sesi do të zhvillohet turizmi bregdetar në plazhet e Lezhës, duke iu përshtatur situatës së krijuar nga pandemia e koronavirusit.

Ai tha se “për shkak të vlerësimit që ata i bëjnë sektorit të turizmit, të gjitha ndërhyrjet dhe shërbimet e planifikuara në bregdet do të kryhen. Asnjë zë i buxhetit për turizmin nuk është prekur për t’u alokuar në rindërtim apo pandemi”.

“Gjithçka do të implementohet plotësisht në mënyrë që sektori të qarkullojë. Këto ndërhyrje në buxhet mund të stopojnë investimet apo shumë gjëra të tjera, por kurrsesi turizmin”, theksoi ai.

Pacaj tha se “do të vijojnë ndërhyrjet e bashkisë Lezhë në zonat bregdetare dhe implementimi i plotë i strategjisë për turizmin”.

“Kjo strategji përmban një sërë paketash që kanë të bëjmë me një mënyrë tjetër të pastrimit dhe mirëmbajtjes së bregdetit, me ndarjen e zonave të plazheve publike dhe private, ndërhyrje infrastrukturore në qytetin e vjetër, me zgjatimin e shëtitores deri në Kune, me përcaktimin e një vendi të posaçëm për tregtarët ambulantë në mënyrë që të mos kemi zaptim të shëtitores, me vendqëndrimet për motorët e ujit si dhe përcaktimin e një vendi të përshtatshëm për vendosjen e lodrave duke rritur kështu edhe sigurinë për pushuesit”, tha ai. /a.g//r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakFOKUS – Mbi 3,3 milionë të infektuar me COVID-19 në mbarë botën
Artikulli tjetërZbatimi i protokolleve të sigurisë nga sipërmarrësit dhe punonjësit, një domosdoshmëri për ta çuar me sukses deri në fund luftën kundër COVID-19