https://www.facebook.com/imerajdionis/videos/1711588795661998
TIRANË, 28 prill /ATSH – I. Vata/ Bashkia e Dibrës vazhdon të kujdeset për 270 pensionistë të vetmuar për të gjitha problemet që ata kanë.
Kryetari i bashkisë Dibër, Dionis Imeraj u shpreh se stafi i bashkisë i përgjigjet thirrjes së pensionistëve për t’i asistuar me ndihma.
“Ish-mësues Rexhepi, një ndër 270 pensionistët e vetmuar të cilëve u shërbehet ditë për ditë për të gjithë nevojat e tyre nga patronazhistët, dje ngriti shqetësimin e tij për disa inerte të hedhura nga qytetarë të pandërgjegjshëm vend e pa vend. Menjëherë pasi mori kërkesën e tij, Ermali, i cili përkujdeset gjatë kësaj periudhe për Rexhepin dhe bashkëshorten e tij Besën, referoi problemin”, tha ai.
Po ashtu Imeraj shton se “me ndërhyrjen imediate të Drejtorisë së Shërbimeve Publike inertet u larguan dhe u rehabilitua kjo pikë problematike”.
“Edhe në kushte të tilla vetizolimi, mësues Rexhepi nuk harron të japë leksione për mirëmbajtjen e mjediseve të përbashkëta publike”, tha ai. /r.e//a.a/























