Ballina Bota

SHBA – Redfield: Vala e dytë e COVID-19 mund të jetë më e rëndë se e para

UASHINGTON, 22 prill /ATSH-AFP/ – Një valë e dytë epidemike e koronavirusit të ri në SHBA mund të jetë më e rëndë se e para, sepse ajo do të përkonte me fillimin e gripit sezonal, theksoi sot një zyrtar i lartë amerikan i Shëndetësisë.

Robert Redfield, drejtor i Qendrave për Kontrollin e Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) u bëri thirrje amerikanëve të përgatiten dhe të vaksinohen kundër gripit.

“Ekziston një mundësi që sulmi i virusit kundër vendit tonë dimrin e ardhshëm të jetë akoma më i vështirë se ky që po përjetojmë tani”, deklaroi Redfield në një intervistë për “Washington Post”.

“Ne do të kemi një epidemi gripi dhe epideminë e koronavirusit në të njëjtën kohë”, paralajmëroi ai.

SHBA-ja është vendi më i prekur nga COVID-19 me 44 845 të vdekur të regjistruar nga Universiteti Johns Hopkins. Më shumë se 820 000 raste janë diagnostikuar në mbarë vendin.

Redfield theksoi se epidemia mbërriti në SHBA në fund të sezonit të gripit, që çdo vit vë në provë sistemin shëndetësor amerikan. Nëse të dy sëmundjet do të kishin arritur kulmin në të njëjtën kohë, do të kishte qenë vërtet, me të vërtetë, me të vërtetë, evështirë.

“Të vaksinohesh kundër gripit para dimrit të ardhshëm mund të lirosh një shtrat spitalor për nënën ose gjyshen tuaj nëse ajo preket nga koronavirusi”, shtoi ai./ /ec/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakFOTOGALERI/ Bashkia Kamëz për ATSH-në, 4 064 pako ushqimore për familjet në nevojë
Artikulli tjetërCOVID-19 nuk ndal prodhimin e bimëve medicinale në Shqipëri/ Në 2019 u eksportuan rreth 11.7 mijë ton në tregjet ndërkombëtare