KOMENT – ADB: COVID-19 plagë e përhershme në ekonominë globale

MANILA, 3 prill /ATSH-DPA/ – Rritja ekonomike në Azi parashikohet të bjerë ndjeshëm në vitin 2020 për shkak të efekteve të pandemisë së koronavirusit, që do të mund të lerë plagë të përhershme në ekonominë globale, tha sot Banka Aziatike për Zhvillim (ADB).

Në raportin e saj vjetor ”Zhvillimi aziatik”, banka e njohur me qendër në Manila, uli parashikimin e rritjes rajonale në 2,2% për vitin 2020.

Ndërsa rritja vlerësohet të kthehet në 6,2% në 2021, raporti paralajmëroi se virusi, i cili ka infektuar mbi një milion njerëz globalisht, paraqet një rrezik të madh për perspektivën e rritjes.

“Evolucioni i pandemisë globale, rrjedhimisht edhe perspektiva për ekonominë globale dhe rajonale, është shumë e pasigurt”, tha kryekonomisti ADB, Yasuyuki Sawada në një deklaratë.

“Rritja mund të rezultojë më e ulët, dhe rimëkëmbja më e ngadaltë, sesa parashikojmë aktualisht”, shtoi ai.

Humbjet globale për shkak të ndërprerjes së aktivitetit ekonomik dhe shpenzimeve të kujdesit shëndetësor mund të jenë deri në 4,1 trilionë dollarë, ose 4,8% e Produktit të Brendshëm Bruto global.

”Azia do të përbëjë deri në 36% të humbjeve të vlerësuara”, thuhet në raport.

Yasuyuki tha se skenari i rastit më të keq ishte “plotësisht i mundur nëse pandemia zgjat më shumë se gjashtë muaj”.

“Zinxhirët e furnizimit mund të ndërpriten përgjithmonë, dhe mund të ketë një tërheqje në globalizimin dhe integrimin rajonal”, theksoi ai.

”Kjo do të ishte një goditje për Azinë e cila ka përfituar shumë nga ekonomitë e hapura dhe tregtia liberale dhe flukset e kapitalit në dekadën e kaluar”, shtoi Sawada./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.