TIRANË, 19 mars/ATSH/ Bashkia e Fierit po u ofron 173 pensionistëve ushqime, ilaçe dhe detergjentë në banesë, duke i ndihmuar ata të evitojnë daljen nga shtëpia.
“Në mbështetje të nismës së qeverisë për të evituar daljet e pensionistëve nga shtëpia, qoftë edhe vetëm per të bërë pazar, do të jetë bashkia me ekipet e saj që do t’u shërbejë me ushqime, ilaçe e detergjentë, në rastet kur ata kanë nevojë e nuk kanë të afërm pranë”, bën të ditur Bashkia.
Sipas informacionit të përcjellë nga kjo bashki, 14 ekipe operatorësh operojnë në bashkinë Fier, duke marrë në telefon të gjithë pensionistët që rezultojnë të vetëm.
Ndërsa mbi 50 ekipe të shpërndarë të gjithë territorin e Bashkisë nisen për të kryer këtë shërbim tek familjet që kërkojnë ndihmë.
Janë shpërndarë 1000 pako për familjet në nevojë dhe pensionistë, romë dhe kategori të personave me aftësi të kufizuara./a.gjonaj/























