COVID-19/ Shqipëria, testimet në mesataren europiane, shtretërit në spital për ata që kanë nevojë për ndihmë të specializuar

TIRANË, 18 mars/ATSH-Maela Marini/ “Ne kemi bërë testime më shumë se të gjitha vendet e rajonit dhe jemi absolutisht në mesataren europiane të testimeve”, tha sot në mbrëmje Kryeministri Edi Rama.

Në një intervistë televizive, Rama tha se “njerëzit duhet ta kuptojnë se këtu nuk bëhet fjalë për analizat e gjakut që bëjmë në kohë të zakonshme, por për një test të jashtëzakonshëm në kuptimin e një kohe të jashtëzakonshme”.

“Të gjithë duhet të sillemi sikur e kemi virusin. Edhe nëse testi del pozitiv, do të thonë rri në shtëpi nëse ke vetëm pak simptoma, pasi nuk ka asnjë ilaç veç mënyrës tradicionale të trajtimit të një gripi të zakonshëm”, tha Rama.

Ai theksoi se “njerëzit të gjithë duhet të kuptojnë se në spital shtretërit janë për ata që kanë nevojë për ndihmë të specializuar, ndërsa ata që kanë temperaturë dhe nuk kanë më shumë se temperaturë duhet të rrinë në shtëpi. Zvicra nuk teston asnjë nën 65 vjeç”, tha Rama.

Kryeministri tha se “jemi në luftë dhe secili në vijën e vetë të frontit të bëjë detyrat e veta, të shtrëngojë dhëmbët dhe të kalis durimin”. “Secili ka shumë në dorë në këtë luftë për të mbrojtur veten, familjen dhe të moshuarit. Ne jemi në luftë dhe nuk dihet sa do zgjasë, por të gjithë duhet të mobilizohen njësoj sikur t’i shikonin bombat, plagët, viktimat, edhe spe nuk i shikojnë dot. Ky është një armik i cili na sulmon përditë, përhapet përditë dhe kërkon të marr pengje brenda familjeve tona. Sistemi shëndetësor shqiptar nuk është më i aftë, as më pak i aftë në raport me këtë sa janë të gjitha vendet e tjera”, tha Rama.

I pyetur nëse është i vonuar tenderi për blerjen e respiratorëve, Rama tha se “nuk merrem me akuza dhe as me tendera, por merrem me domosdoshmërinë që në çdo sekondë, minutë, orë ne të bëjmë gjënë e duhur. “Pastaj nëse opozita apo kushdo qoftë tjetër ka akuza që jemi kujtuar vonë duhet kthyer në fletërrufe për mbarë botën, se sot Presidenti i SHBA-së u kujtua për maska, pardje Kancelarja e Gjermanisë u kujtua për respiratorë e me radhë”, tha Rama.

Ai tha se “është e kotë që të humbasim kohë me akuza që nuk kanë asnjë lidhje me luftën”.

“Ne i kemi marrë të gjitha masat dhe do të vazhdojmë të marrim masa të tjera dhe asnjë vend, që nga SHBA që është vendi më i fuqishëm i planetit, te Gjermania vendi më i fuqishëm i Europës, Franca vendi me sistemin shëndetësor më të financuar me taksat e qytetarëve në planet, tek Zvicra, nuk kanë bërë asgjë më shumë se sa kemi bërë ne. Gjërat që ne i kemi bërë më parë se kemi pasur vetëdijen se duhet të mbrohemi më fortë, se jemi më të dobët se të tjerët ndaj po i bëjmë më fort. Dhe është gjëja e duhur që është bërë dhe e kemi bërë nga të parët”, tha Rama.

Ai theksoi se “masat e marra së brendshmi nuk e ndalojnë virusin të na preki por e pengon virusin që të progresojë me shpejtësi”. “Mbyllja e kufijve nuk e pengon virusin t’i kapërcejë kufijtë dhe asnjë vend, asnjë shkencë dhe asnjë ekspert nuk sugjeron mbyllje të kufijve para se të shfaqet në territor, për një mijë e një arsye. Ne duhet të jemi një zinxhir i lidhur zemrash dhe mendjesh si një trup i vetëm për t’u bërë pjesë dhe mburojë e sistemit tonë shëndetësor. Duke bërë këtë shumë më pak njerëz do të kenë nevojë të shkojnë në spital”, tha Rama.

Ai theksoi se “ne i kemi të gjithë skenarët dhe ne po bëjmë luftën në të gjithë frontin me masat nga njëra anë dhe kapacitetet shëndetësore që të përballojnë edhe skenarin tonë të keq”. “Ndërsa skenarin katastrofik nuk e përballon askush. Kam besim se do t’ia dalim dhe nuk do të gjendemi para skenarit katastrofik nëse nuk do të luajmë me familjen se doli dielli dhe dalim shëtitje, apo duke kujtuar se kjo është një histori ku mund t’ia hedhësh duke ia hedhur shtetit. Në këtë luftë nuk ka shtet dhe qytetar, ka një popull se pavarësisht se në çfarë pozitë janë ka vetëm një kauzë dhe duhet të jenë një njësh”, tha Rama.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.