TIRANË, 16 mars/ATSH-A. Fortuzi/ Qytetarët janë ndërgjegjësuar dhe po respektojnë kufizimet e përcaktuara nga qeveria për minimizimin e përhapjes së koronavirusit COVID-19.
Dhori Spirollari, prefekti i qarkut të Korçës, i kontaktuar nga Agjencia Telegrafike Shqiptare ka theksuar se përveç mjeteve të transportit të mallrave ushqimore, asnjë mjet tjetër nuk është lejuar të lëvizë në qarkun Korçë.
“Si në të gjithë qarqet e tjera edhe në Korçë situata është normale dhe zbatohen aktet ligjore, nënligjore, akti normativ që doli nga qeveria dhe urdhrat e Ministrisë së Shëndetësisë, udhëzimet e Policisë. Qarkullimi funksionon sipas rregullave të paracaktuara. Lëvizja e biznesit, sipas orareve të caktuara”, – tha Spirollari.
“Qytetarët u janë bindur rregullave në mënyrë të ndërgjegjshme. Me një fjalë nuk kemi asnjë problem, çdo gjë funksionon normalisht. Po kështu punonjësit e policisë në dogana, përveç mjeteve të transportit nuk lejojnë hyrjen e mjeteve të tjera”, – tha Spirollari.
Sipas tij, po zbatohet udhëresa për vetëkarantinimin. “Është bërë listimi sipas bashkive, janë evidentuar dhe tani po zbatohet vetëkarantinimi. U është komunikuar urdhri për vetëkarantinim. Një student ushtarak është kthyer dy ditë më parë në Korçë, por edhe ai është vetëkarantinuar pranë familjes”, – tha Spirollari, duke sqaruar se deri më tani asnjë prej të ardhurve nga jashtë nuk ka shfaqur probleme shëndetësore.
Ai tha se dezinfektimi ka vijuar. “Në të gjitha bashkitë e qytetit dezinfektimi i zonave publike ka vijuar sipas urdhëresave të ardhura nga Ministria e Shëndetësisë”, tha Prefekti i Korçës.
Spirollari tha se në qarkun Korçë nuk ka pasur ndonjë problem të evidentuar për rritje të çmimeve. Ai shtoi se, inspektorët janë në monitorim.
“Për çmimet nuk ka pasur probleme. Nuk janë evidentuar shkelje të hapura. Inspektorët janë në monitorim, kur kemi pasur denoncim inspektorët janë dërguar menjëherë. Uroj të mos kemi asnjë rast. Dua të falenderoj personelin shëndetësor, punonjësit e policisë dhe të gjithë ata që janë në terren. Veçanërisht dua të falenderoj punonjësit shëndetësorë që kanë qenë në të gjitha pikat kufitare të qarkut për të monitoruar sistuatën, duke nisur nga Gorica dhe duke vijuar te Tre Urat, Qafë Thana… etj”, – theksoi Spirollari për Agjencinë Telegrafike Shqiptare./r.e/






















