BERLIN, 16 mars /ATSH-DPA/ – Ministri gjerman i Ekonomisë, Peter Altmaier i dërgoi një mesazh SHBA-së në lidhje me qasjen ndaj vaksinës së koronavirusit: “Gjermania nuk është në shitje”.
Ministri Peter Altmaier, një aleat i ngushtë i kancelares, Angela Merkel, transmetoi mesazhin në anglisht të hënën në një podcast të organizuar nga gazetari i mirënjohur, gjerman Gabor Steingart.
Disa ditë më parë, gazeta gjermane ”Welt am Sonntag” kishte raportuar se SHBA i kishin ofruar ”CureVac”, një kompanie private me qendër në Tübingen, 30 kilometra në jug të Shtutgartit, një miliard dollarë për të drejtat ekskluzive për një vaksinë që po zhvillonte kompania.
“Ne e njohim këtë kompani dhe jemi në kontakt me të”, theksoi Altmaier.
“Studiuesit gjermanë janë lider në zhvillimin e ilaçeve dhe vaksinave, në bashkëpunime globale. Ne nuk mund të lejojmë që të tjerët të marrin rezultatet tona të kërkimit”, deklaroi ndërkohë ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas për gazetat e grupeve të mediave ”Funke”.
“Ne do ta shkatërrojmë vetëm këtë virus së bashku, jo kundër njëri-tjetrit”, tha Maas.
Ministri i Brendshëm Horst Seehofer tha që çështja do të diskutohej gjatë një takimi të krizës koronavirus, sot në Berlin./ /os/ a.jor.























