TIRANË, 11 mars/ATSH-Arbi Fortuzi/ -Bashkia e Durrësit është duke vijuar punë për dezinfektimin e të gjitha zonave publike dhe institucioneve publike të qytetit bregdetar.
Kryetari në detyrë i bashkisë së Durrësit, Zhuljen Varfaj, ka publikuar mëngjesin e të mërkurës foto nga puna për dezinfektimin e hapësirave publike nga stafi i bashkisë. Varfaj i bënë thirrje qytetarëve të Durrësit të mos kenë panik, por të kenë kujdes të vazhdueshëm në drejtim të higjienës.
“Mirëmëngjesi me këto foto të dezinfektimit të hapësirave publike nga stafi i bashkisë.
Vijojmë zbatimin e masave për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.
Mbi të gjitha nuk duhet panik, por shumë higjienë personale dhe kujdes i vazhdueshëm!
Ruani veten dhe njëri- tjetrin duke ndjekur të gjitha rregullat e njoftimet zyrtare! Bashkë do ia dalim“,- thekson Varfaj.
Gjithashtu kompanitë e transportit publik në zbatim të urdhrit të bashkisë së Durrësit mbi zbatimin e planit të masave që nga dita e djeshme po kryejnë dezinfektimin e autobusëve.
Deri më tani në vendin tonë janë identifikuar 10 persona të prekur me koronavirus, 8 në Tiranë dhe 2 në Durrës. Mësohet se janë nën analizë dhe kontaktet e afërta të tyre, ndërsa qeveria për të minimizuar përhapjen e virusit COVID 19, apo të njohur si koronavirusi i ri ka mbyllur shkollat, universitet dhe çerdhet. Ka vendosur mbylljen e shërbimeve publike, duke i kaluar ato online, ndërsa ka ndërmarrë dhe një operacion për mbylljen e përkohshme të lokaleve të natës, ambienteve publike, bareve, palestrave, apo pishinave të mbyllura.
Qeveria u ka bërë thirrje ditën e martë të gjithë qytetarëve të kenë kujdes higjienën dhe të minimizojnë daljet në ambiente publike.




















