VIDEO/Çfarë duhet të dini për të parandaluar përhapjen e koronavirusit 

TIRANË, 10 mars/ATSH/Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka shpërndarë një video me rekomandime për të mbrojtur veten dhe të tjerët nga koronavirusi.

Çfarë duhet të dini për të parandaluar përhapjen e koronavirusit?

“Është një sëmundje infektive e shkaktuar nga një koronavirusi i ri i shfaqur për herë të parë tek njerëzit. Koronavirusi është një virus i rrugëve të frymëmarrjes që përhapet nga personi i infektuar nëpërmjet pikave të pështymës, kollës dhe tështimës. Pikat e pështymës mund të prekin gojën apo hundën e personave në kontakt të ngushtë me një person të infektuar. Këto pikla janë tepër të rënda për të udhëtuar gjatë në ajër, ato largohen afërsisht 1 metër nga personi i infektuar dhe bien në kontakt në sipërfaqe të ndryshme. Kjo është arsyeja pse përhapja është midis kontaktit të ngushtë të personit. Koha e saktë që një virus qendron mbi një sipërfaqe është ende e paditur prandaj sipërfaqe të ndryshme duhet të pastrohen rregullisht sidomos ato në afërsi të një personi të infektuar me COVID-19.

Duart prekin sipërfaqe të ndryshme të cilat mund të jenë të kontaminuara nga virusi. Prandaj ju duhet të shmangi prekjen e syve, hundës, gojës me duar, sepse si rrjedhojë mund të infektoheni nga virusi. Kur kolliteni apo tështini, mbulojeni gojën apo hundën me parakrah apo përdorni shami prej letre. Përdorni shamitë e letrës vetëm një herë dhe hidheni menjëherë pas përdorimit në kosh dhe më pas lani duart.

Mënyra më efektive për të parandaluar përhapjen e koronavirusit është larja e shpeshtë e duarve me ujë dhe sapun ose dezinfektimi i tyre me solucion me bazë alkooli. Kjo do ta eleminojë virusin nëse ai gjendet në duart tuaja . Mbroni veten dhe të tjerët nga përhapja e COVID-19. z.tosku/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.