Rama ndan videon sensibilizuese të Lorik Canës: Higjienë, kufizim i kontakteve fizike dhe mbrojtje nga infodemia

TIRANË, 10 mars/ATSH/ Kryeministri Edi Rama ndau sot një mesazh sensibilizues të kapitenit legjendar të kuqezinjve, Lorik Cana, lidhur me masat që duhen marrë për përballimin e situatës nga koronavirusi.

“Frikë jo, kujdes po dhe ju lutem: Të ruajmë veten dhe njëri-tjetrin duke kufizuar sa më shumë kontaktet fizike! Të lajmë duart sa më shpesh për jo më pak se 20 sekonda! Të kufizojmë daljet dhe uljet nëpër kafene e restorante, vajtjet në palestra, disko e në mjedise të mbyllura me kontakte të shumta! Të mbrohemi me maskën e arsyes nga INFODEMIA – lajmet, kronikat, komentet, debatet që krijojnë konfuzion, pasiguri, shkurajim!”, shkruan Rama, ndërsa ndan këtë video sensibilizuese.

Në një videomesazh nga shtëpia e tij në Romë, Lorik Cana u drejtoi një mesazh shqiptarëve mbi masat që duhen marrë për përballimin e situatës nga koronavirusi.

“Tanimë jo vetëm anembanë botës apo në Itali, koronavirusi është edhe në Shqipëri. Disa gjëra shumë të vogla për secilin prej nesh shumë të rëndësishme për të vepruar dhe jo për të reaguar vonë ndonjë situate të papërballueshme. Secili prej nesh ka një detyrë dhe çdo individ ka një detyrë që të respektoj dhe të mundohemi të respektojmë sidomos pjesën e higjienës. Të lajmë duart sa më shumë dhe mbi 20-30 sekonda. Të evitojmë sa më shumë të jetë e mundur vendet ku jemi të grumbulluar, vendet ku jemi në kontakt me njëri-tjetrin. Në gjendje gripale, ftohje, në gjendje të keqe fizike atëherë të qëndrojmë në shtëpi dhe t’i drejtohemi numrit për situatën e tillë. Më mirë që tani të bëjmë secili nga një sforco të madhe dhe të dalim nga kjo situatë sa më shpejt. Një besim shumë të madh për secilin prej jush dhe të gjithë ata studentë që janë pushim, ky nuk është një pushim shkollor është një përgjegjësi shumë e madhe dhe të veprojmë secili”, shprehet Cana në mesazhin  e tij. /m.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.