TIRANË, 9 mars/ATSH/ Nisur nga situata e koronavirusit në Shqipëri dhe vendimit të qeverisë për pezullimin e aktiviteteve, bashkia e Elbasanit njoftuar pezullimin e të gjithë aktiviteteve me rastin e Ditës së Verës.
“Për të evituar grumbullimet dhe për të mbrojtur shëndetin e qytetarëve, festimet do të pezullohen, por elbasanasit do ta festojnë festën e tyre tradicionale pranë familjeve.
Në kuadër të masave të mëtejshme mbrojtëse, bashkia e Elbasanit bën me dije se nga nesër nis dezinfektimi i të gjitha ambienteve të institucioneve arsimore, në mënyrë që ato të jenë të gatshme për rifillimin e procesit arsimor. Me urdhër të Kryetarit të Bashkisë do të nisë menjëherë dezinfektimi i kontenierëve të mbeturinave në qytet e fshat”,- thuhet në njoftimin zyrtar.
Po ashtu, do të qëndrojnë të mbyllura deri në datë 3 Prill, Qendra Kulturore e fëmijëve, Teatri “Skampa” dhe Qendra Komunitare rome.
Bashkia e Elbasanit garanton qytetarët për cilësinë e ujit të pijshëm. Uji i pijshëm garanton të gjitha standardet për konsum, janë marrë të gjitha masat për cilësinë e tij. Analizat e ujit të pijshëm janë të përditshme dhe të certifikuara.
Bashkia e Elbasanit bën apel për të ruajtur qetësinë.”Të dashur qytetarë, kjo nuk është situatë për panik, por një situatë për t’u kujdesur më shumë për shëndetin dhe higjienën personale. Mos neglizhoni këshillat e publikuara nga Ministria e Shëndetësisë.Për çdo simptomë, të ngjashme me ato të koronavirus telefononi në numrin 127.






















