TIRANË, 5 mars/ATSH/ Bashkia e Durrësit po vijon turin e dëgjesave publike me qytetarët në lidhje me katër zonat për zhvillim, pas tërmetit të 26 nëntorit 2019.
Dëgjesa publike e radhës u zhvillua në njësinë administrative nr.5, aty ku ndodhen dy nga katër zonat për zhvillim që janë gjithsej në bashkinë e Durrësit. Në këtë njësi administrative ndodhen zona e rindërtimit 1 dhe zona 3.
Kryetari në detyrë i bashkisë së Durrësit, Zhuljen Varfaj dhe zyrtarë e ekspertë të bashkisë së Durrësit kanë njohur banorët pjesëmarrës me zonat e zhvillimit dhe janë ndalur veçanërisht në dy zonat që i përkasin kësaj njësie.
Varfaj shpjegoi rëndësinë e këtyre zonave të rindërtimit, jo vetëm për banorët e dëmtuar nga tërmeti, por për të gjithë qytetin, pasi këto zona zhvillimi janë lagje tërësisht të reja me të gjithë infrastrukturën e nevojshme.
Banorët e kësaj njësie kanë zhvilluar diskutime të shumta dhe kanë drejtuar pyetje të ndryshme për këto zona zhvillimi, por edhe në lidhje me stadin aktual të punës që po bëhet në qytet për rindërtimin.
/m.m/























