JOHANESBURG, 29 shkurt /ATSH-AFP/ – Platforma amerikane e transmetimit online Netflix filloi transmetimin e serialit të parë origjinal “Made in Africa”, një sagë spiunazhi e quajtur “Mbretëresha Sono” me në rol kryesor aktoren afrikano-jugore, Pearl Thusi.
Nën regjjinë e Kagiso Lediga, të gjashtë episodet tregojnë sprovat e agjentes së shërbimit sekret të mbretëreshës Sono, e cila po heton një rrjet të rrezikshëm politiko-kriminal dhe vrasjen e nënës së saj.
Sipas menaxheres së Netflix për Afrikën, Dorothy Ghettuba, produksioni është xhiruar në Kenia, Tanzania, Nigeri dhe në Afrikën e Jugut.
Seriali u prezantua me një ceremoni madhështore dhe me tapet të kuq në Johanesburg.
“Ky serial është pikërisht ajo që kemi dashur të bëjmë, pra, që afrikanët të tregojnë histori për Afrikën”, tha Ted Sarandos, menaxheri i përmbajtjes origjinale të Netflix.
“Unë gjithmonë kam pasur pamjen e një gruaje të fortë afrikane”, tha aktorja kryesore.
“Kjo nuk është diçka e re për mua, por tani unë përfaqësoj në ekran një personazh i cili besoj se pasqyron atë çka janë të gjitha gratë me ngjyrë në Afrikë, gra të forta”, vazhdoi Pearl Thusi, e njohur përtej kontinentin për pjesëmarrjen e saj në serialin policor amerikan “Quantico”.
Në një botë kulturore të globalizuar të shtypur nga prodhimet amerikane, dritarja e vogël afrikane e hapur për botën nga ”Mbretëresha Sono” u prit me shumë entuziazëm në qytetin më të madh të Afrikës së Jugut.
“Kjo tregon se ne afrikanët mund të bëjmë gjëra të mëdha vetë”, tha Lufuno Mutheiwana, një shitëse 48-vjeçare.
“Ne nuk kemi nevojë për europianët, aziatikët apo askënd tjetër për të treguar historinë tonë”, shtoi ajo.
“Ky është një moment i madh krenarie. Kemi kaq shumë histori të mira, emocionuese, të forta që duhen treguar”, tha aktorja, modelja dhe këngëtarja e Afrikës së Jugut, Gail Mabalane./ /artjola/ a.jor.























