TIRANË, 6 shkurt/ATSH/ Bashkia e Elbasanit ka prezantuar sot Planin e Integritetit, një dokument strategjik dhe një instrument për parandalimin e korrupsionit dhe forcimin e integritetit të bashkisë.
Në prezantimin e Planit të Integritetit ishin të pranishëm kryetari i bashkisë, Gledian Llatja, përfaqësuesja e Ministrisë së Drejtësisë Rovena Pregja dhe përfaqësuesja e STAR2 Ardita Shehaj.
Në fjalën e tij, Llatja e cilësoi një dokument të një rëndësie të veçantë, Planin e Integritetit, dokument i cili përcakton qasjen e pushtetit vendor ndaj qytetarit, luftën ndaj korrupsionit dhe çdo lloj forme të favorizimit të pamerituar. Ndërsa Ardita Shehaj përfaqësuese nga programi Star 2 dhe Rovena Prengja nga Ministria e Drejtësisë vunë theksin tek ngritja e një sistemi efektiv të menaxhimit të integritetit në bashki e cila ka për qëllim forcimin e mëtejshëm të qëndrueshmërisë së luftës kundër korrupsionit.
Qëllimi kryesor i takimit ishte prezantimi me fazat kryesore të projektit, qasjen metodologjike, objektivat dhe planin e veprimit. Tryeza synon të promovojë këtë proces në bashkinë Elbasan si një praktikë e mirë vendore antikorrupsion.
Bashkia e Elbasanit është bashkia e parë, nga 6 bashkitë pilote, e cila ka miratuar instrumentet e menaxhimit të integritetit në nivel vendor, përkatësisht Planin e Integritetit dhe Kodin e Sjelljes.
Takimi u organizua në javën e Integritetit, nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim në bashkëpunim me bashkinë Elbasan në kuadër të marrëveshjes së UNDP-së nëpërmjet projektit STAR2 për forcimin e etikës dhe integritetit në qeverisjen vendore. m.s/z.tosku/























