TIRANË, 5 shkurt /ATSH/ Të gjitha rrugët në bashkinë e Pukës janë të kalueshme, ndërsa reshjet e dëborës kanë arritur në 12 cm.
Bashkia e Pukës bën të ditur sot se “ashtu si i gjithë veriu i vendit edhe një pjesë e madhe e territorit të bashkisë Pukë u mbulua gjatë natës nga reshjet e borës. Me nisjen e dëborës bashkia angazhoi punonjësit e Drejtorisë të Shërbimeve Publike dhe Rrugëve Rurale”.
“Tre mjete u angazhuan për gjatë gjithë natës për pastrimin e rrugëve në qytet dhe më tej. Dy mjete borëpastruese dhe një mjet për hedhjen e kripës kanë bërë të mundur pastrimin e të gjithë rrugëve të qytetit dhe lagjeve periferike, ndërkohë që u pastruan dhe kriposën dhe rrugët Qafë-Qerreti – Qelëz dhe Qafë-Qerreti – Qerret”, theksoi bashkia.
Sipas bashkisë, në orët e para të mëngjesit u bë pastrimi i shkallëve dhe rrugicave të qytetit, ndërkohë që të gjithë hapësirat para dyerve të bizneseve dhe institucioneve janë tashmë të lira.
Aktualisht në bashkinë e Pukës si pasojë e reshjeve të borës nuk ka asnjë problem, ndërkohë që të gjithë institucionet arsimore u hapën dhe po funksionojnë normalisht dhe me ngrohje.
Bashkia e Pukës po vijon monitorimin e situatës, pasi sipas saj, pritet të përballet me uljen e ndjeshme të temperaturave që mund të sjellin ngrica. /k.s/






















