TIRANË, 2 shkurt /ATSH/- Ligji për prokurimin publik është një ndër instrumentet kryesorë strategjikë që ndihmon qeverinë të arrijë objektivat ekonomike, sociale dhe të mjedisit nëpërmjet një sistemi të përgjegjshëm, efektiv dhe transparent të mirë përdorimit të fondeve publike dhe shpenzimeve të qeverisë.
Procesi i prokurimit has shpesh në probleme që lidhen me ekspertizën teknike në përgatitjen e dokumentave të tenderimit, vlerësimin kompleks të tenderit, zbatimin e kontratës dhe menaxhimin e rekomandimeve të auditimit.
Projektet që financohen nga Banka Botërore nuk janë të përjashtuara nga këto sfida. Në një seminar të zhvilluar me përfaqësues të Njësive të Manaxhimit të Projekteve të mbështetura nga Banka Botërore në Shqipëri, Manaxheri Rajonal i Prokurimit për rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore, V.S Krishnakumar theksoi rëndësinë e forcimit të kapaciteteve shqiptare të prokurimit dhe forcimin e gjykimit profesional në këtë fushë.
Pjesëmarrësit diskutuan mes tyre si përvojat pozitive ashtu edhe sfidat me qëllim përmirësimin e procesit dhe zbatimit në kohë të projekteve.
e.xh/j.p/





















