ANKARA, 26 janar /ATSH-AA-AFP/ – Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan mbërriti sot në Algjer në kuadër të një vizite me ftesë të homologut algjerian, Abdelmadjid Tebboune.
Kjo vizitë 48-orëshe do të zhvillohet në kuadër të diskutimeve për situatën në Libi, ku kërcënohet një armëpushim i brishtë, një krizë rajonale, në të cilën Algjeria kërkon të luajë rolin e ndërmjetësuesit.
Bashkëpunimi ekonomik do të jetë gjithashtu në axhendën e vizitës së Erdogan, i cili shoqërohet nga një delegacion i rëndësishëm biznesmenësh.
Turqia është investitori i parë i huaj në Algjeri.
Presidenti turk, Erdogan u prit në aeroportin “Houari Boumediene” të Algjerisë me një ceremoni zyrtare nga presidenti algjerian, Abdelmadjid Tebboune.
Në ceremoni ishin të pranishëm ministrja algjeriane e Kulturës, Malika Bendouda, drejtori i Protkollit, Belkacem Laribi dhe ambasadorja e Turqisë në Algjeri, Mahinur Ozdemir Goktaş.
Ndërkohë Erdogan gjatë vizitës së tij në Algjeri ka qenë i shoqëruar nga bashkëshortja e tij Emine Erdoğan, ministri i Jashtëm, Mevlut Çavusoglu, ministri i Energjisë dhe Burimeve Natyrore, Fatih Donmez, ministri i Mbrojtjes, Hulusi Akar, ministri i Industrisë dhe Teknologjisë së Turqisë, Mustafa Varank, shefi i Inteligjencës turke (MIT) Hakan Fidan, drejtori i Komunikimeve të Presidencës së Turqisë, Fahrettin Altun dhe zëdhënësi i Presidencës së Turqisë, Ibrahim Kalın./ /ec/






















