TIRANË, 23 janar/ATSH-A. Fortuzi/- Ish Deputeti i Partisë Demokratike, Agron Shehaj ka akuzuar Prokurorinë sepse sipas tij, organi akuzës ka marrë në mbrojtje qeverinë, duke mbyllur hetimet për dosjen e “DH Albania”.
Në një deklaratë për mediet nga PD, Shehaj theksoi se, “Prokuroria e Tiranës ka mbyllur hetimet për aferën DH Albania, të vjedhjes dhe pastrimit të 28 milionë eurove, me anë të një kompanie fantazmë. Në mënyrë kriminale, Prokuroria ka rrëzuar akuzat për korrupsion, për shpërdorim detyre dhe pastrim parash”,- shprehet Shehaj.
“Ajo ka dërguar në Gjykatë vetëm akuzën qesharake për falsifikim dokumentash, akuzë e cila dënohet vetëm me gjobë ose disa muaj burg. Asnjë zyrtar shtetëror nuk është akuzuar. Asnjë. Zero. Prokuroria ka nxjerrë përfundimin se gjithçka ka qenë vepër e një 26- vjeçari, që ka vepruar i vetëm, pa asnjë bashkëpunëtor”,- thekson Shehaj.
“Prokuroria pretendon se 26- vjeçari ka mashtruar Ministrinë e Transportit dhe Energjetikës, Drejtorinë e Përgjithshme të Rrugëve, dhe OST-ne, duke fituar dy tendera prej 28 milionë euro”,- vijon deklaratën e tij Shehaj.
“Sipas Prokurorisë, ky 26-vjeçar ka negociuar për javë të tëra dy kontrata të sofistikuara teknike, me dhjetëra specialistë, drejtues dhe funksionarë të shtetit, dhe ata nuk kanë kuptuar asgjë. Ky është një nga përfundimet më qesharake dhe më skandaloze, në historinë e Prokurorisë Shqiptare”,- tha Shehaj.
“Afera DH Albania tregon që këtu sundon korrupsioni dhe pandëshkueshmëria, që këtu nuk ka vend për njerëzit punëtorë dhe të ndershëm”,- u shpreh ai .
“Pa ndëshkuar korrupsionin në Shqipëri nuk do ketë investime të huaja, zhvillim ekonomik dhe vende të reja pune. Lufta kundër korrupsionit dhe kësaj aleance kriminale është prioriteti politik më i madh i Partisë Demokratike. Kjo luftë duhet të fillojë me dhënien fund të pandëshkueshmërisë së politikanëve dhe zyrtarëve të korruptuar”,- përfundoi deklaratën e tij Shehaj. /a.a/























