Ballina Flash

Grenell takim me Thaçin: Duam progres ekonomik për Kosovën

TIRANË, 22 janar /ATSH/ – Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi zhvilloi  takimin në Prishtinë me emisarin special të presidentit amerikan Donald Trump për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, ambasadorin Richard Grenell.

Gjatë këtij takimi Thaçi ka theksuar se roli i SHBA-së është i pazëvendësueshëm në arritjen e paqes dhe stabilitetit mes Kosovës dhe Serbisë. Gjithashtu Thaçi theksoi se,”kam besim të plotë që nën lidershipin e Presidentit Trump do të arrijmë deri tek marrëveshja finale mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë”.

“Roli amerikan është i pazëvendësueshëm në proceset nëpër të cilat po kalon Kosova dhe ne do të vazhdojmë të jemi partner besnik i SHBA-së në jetësimin e interesave strategjike në Ballkanin Perëndimor”, tha Thaçi.

Ambasadori Grenell pohoi se nuk do të dëshironte të flasë për çështjet politike dhe çështje tjera të brendshme të Kosovës. Ai foli për avancimin ekonomik të Kosovës, në hapjen e vende të punës dhe mundësimin e kushteve për investime nga komuniteti i bizneseve amerikanë dhe europianë.

Vizita e ambasadorit Grenell realizohet pas arritjes së marrëveshjes për hapjen e linjës ajrore Prishtinë-Beograd.

Kjo marrëveshje për krijimin e linjës ajrore Prishtinë-Beograd, është cilësuar si një hap i rëndësishëm drejt normalizimit të marrëdhënieve mes dy shteteve dhe është përshëndetur nga liderët në Kosovë, Serbi, si dhe nga ndërkombëtarët, raporton KosovaPress.

 

 

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakGJERMANI – Zbulohet eksploziv në tokën e ndërtimit të fabrikës së Tesla-s
Artikulli tjetërVeliaj në krah të familjeve të policëve të vrarë: S’kemi nevojë për kulturën e gjobvënies, po për heronj që punojnë me ndershmëri