Ballina Flash

FOTO/ Aktori i njohur i skenës shqiptare Xhevdet Ferri përcillet në banesën e fundit

TIRANË, 17 janar/ATSH/ Aktori i njohur i skenës dhe ekranit shqiptar, Xhevdet Ferri, i cili ndërroi jetë mbrëmjen e djeshme në moshën 59-vjeçare, pas një sëmundje të rëndë, u përcoll sot për në banesën e fundit.

Familjarë, të afërm, kolegë, miq e dashamirës i dhanë lamtumirën aktorit Ferri në një ceremoni të ngushtë.

Lajmi i trishtuar i ndarjes nga jeta në mënyrë të parakohshme, nga një sëmundje e rëndë, e aktorit të njohur Xhevdet Ferri ka sjellë mesazhe të shumta ngushëllimi nga institucione të artit e të kulturës, personalitete të kinematografisë, politikanë, por edhe qytetarë të thjeshtë.

Xhevdet Ferri lindi më 26 nëntor 1960. Filmin e tij të parë e realizoi kur ishte akoma student. I fundit nga aktori do të mbahet mend roli në filmin “Delegacioni”, me regji të Bujar Alimanit.

Roli i paharrueshëm për shqiptarët do të mbetet ai i Trimit në filmin “Përrallë nga e kaluara” krah të të madhit, Robert Ndrenika. Ai ka interpretuar në rreth 30 role në kinematografi e teatër. Pothuajse në të gjithë filmat ka qenë në rolin e protagonistit. /k.s/ /a.a/

 

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakFUTBOLL – Barcelona kryeson “ligën e parave” me të ardhura prej 840 milionë eurosh
Artikulli tjetërKlos/ Përfundon rehabilitimi i rrugës në fshatin Cerujë