Pas Ibrës, “Milan” pranë afrimit të Politanos nga “Inter”

TIRANË, 9 janar /ATSH/ -Milani është pranë afrimit të një tjetër sulmuesi. Drejtuesit e Milanit e kanë të qartë se vetëm afrimi i Zlatan Ibrahimovic nuk mjafton.

Emri i fundit që ka dalë në skenë është ai i sulmuesit të Interit, Matteo Politano. Kuqezinjtë janë takuar me agjentin e lojtarit të Interit dhe akordi është afër.

26-vjeçari, i cili do të zëvendësojë Borinin, ka humbur postin e titullarit me uljen e Contes në stolin zikaltër dhe ka pranuar transferimin tek kuqezinjtë e Milanit. Edhe në aspektin financiar nuk ka probleme dhe tani mbetet të gjendet marrëveshja mes dy klubeve.

Paratë që do të investohen për Politanon (kushton rreth 20 milionë euro) pritet të vijnë nga Piatek dhe Pepe Reina. Aston Villa interesohet për të dy lojtarët. Akordi për portierin spanjoll është çështje kohe, por Milan ka kërkuar kohë për të gjetur pasuesin e tij. Në momentin që do të ndodhë, portieri 37-vjeçar do të bëhet pjesë e klubit nga Birmingemi.

/gj.m/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.