Ballina Flash

U dëmtua rëndë prej tërmetit, qendra shëndetësore e Ishmit do të rindërtohet

TIRANË, 18 dhjetor/ATSH/ Qendra shëndetësore 24 orëshe e Ishmit do të rindërtohet, pasi godina shëndetësore u dëmtua rëndë nga tërmeti.

Lajmi është bërë i ditur nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu e cila ka vlerësuar mjekët dhe infermierët të cilët nuk e ndalën shërbimin e tyre për asnjë moment.

Merita Agasi, infermiere në Ishëm shprehet se edhe pse spitali nisi të shembej, ajo nuk e ndali shërbimin e saj. “Çdo gjë na u shëmb në kokë. Natën e tërmetit ne ishim në shërbim 24 orësh. Dolëm jashtë. Kam dëmtime, kam qenë me mjekime gjatë gjithë kohës dhe punën nuk e kam ndërprerë për asnjë ditë. Filloi duke u shemb spitali, sovatimet duke rënë. Na kanë rënë në kokë, në duar”.

Nga ana tjetër, kryeinfermierja në qendrën shëndetësore Ishëm, Xhemile Gjyli  tha se “sa kemi dalë jashtë, pas 20 minutash na erdhi një urgjencë, një plak mosha e treta që ishte goditur në kokë. I kishte renë një tjegull, megjithatë me mjekun i kemi dhënë ndihmën e parë në makinën e mjekut. Me pas i kemi dërguar për Durrës”.

Besmir Lumaj, mjek familje në autoambulancat Lalëz dhe Likmetaj thotë se rastet më të shumta kanë qenë të sëmurët kronikë.

“Raste kemi pasur plot. Më të shumtët kanë qenë të sëmurët kronikë. Kanë ardhur me shqetësime me hipertension, probleme të frymëmarrjes më shumë nga stresi që kanë kaluar nga gjendja e ankthit”.

“Edhe pse janë kushtet shumë të vështira, unë bashkë me mjekun kemi shkuar edhe në shtëpi gjatë këtyre ditëve. Kemi ndjekur fëmijët nga zero në dy vjeç. Edhe vaksinimi ka vazhduar dhe po vazhdon ashtu siç kemi vazhduar gjithmonë”, -thotë Sabaje Dervishi, infermiere në Ishëm. z.tosku/ /a.g/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKryhet për herë të parë ndërhyrja e rrallë në Spitalin e Korçës
Artikulli tjetërPërfundon verifikimi i mbi 8100 godinave në Bashkinë e Vorës