PRISHTINË, 13 dhjetor/ATSH/ Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Pal Lekaj ka pritur sot në takim ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, i cili ka shprehur mirënjohje për solidaritetin dhe kontributin e dhënë shtetit shqiptar, në përballimin e dëmeve të shkaktuara nga tërmeti i 26 nëntorit.
Ministri Lekaj u shpreh në takim se mirënjohja u takon inxhinierëve të ndërtimit të MIT-së dhe profesorëve të UBT (University for Business and Technology) në Kosovë, të angazhuar në vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga ky tërmet. Me këtë rast, ai i dorëzoi ambasadorit Minxhozi edhe një raport të detajuar të punës së bërë nga këta profesionistë në zonat e prekura si dhe konstatimin e gjendjes së godinave të inspektuara nga ana tyre.
MIT, në bashkëpunim me kolegjin UBT dhe në koordinim të plotë me Ambasadën e Shqipërisë në Kosovë, i ka ofruar ndihmë Republikës së Shqipërisë, duke angazhuar 14 inxhinierë të ndërtimit dhe 12 profesorë nga UBT, të cilët në mënyrë profesionale, kanë kontribuar në vlerësimin e dëmeve të shkaktuara, duke dalë me një raport, i cili do të shërbejë në rikuperimin e dëmeve.
Ambasadori Minxhozi, pasi ka shprehur falënderimet në emër të qeverisë dhe popullit shqiptar për gatishmërinë dhe ndihmën e ofruar nga vëllezërit kosovarë në momentet e vështira për Shqipërinë, dhe sidomos për banorët e prekur direkt nga tërmeti i datës 26 nëntor, ndau për inxhinierët e profesorët e UBT-së certifikatë mirënjohjeje për kontributin e dhënë. /KosovaPress/

























