TIRANË, 9 dhjetor /ATSH/ Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj ishte sot në Rrëshen, ku së bashku me kryetarin e bashkisë Mirditë, Ndrec Dedaj, diskutuan dhe dëgjuan problemet e banorëve me banesa të dëmtuara në këtë qytet.
Ministri Lleshaj vizitoi konviktin e gjimnazit të Rrëshenit ku janë strehuar përkohësisht familjet, të cilave u janë dëmtuar banesat.
I shoqëruar nga kryebashkiaku i Mirditës, Ndrec Dedaj, ai ka bashkëbiseduar me qytetarët në lidhje me situatën e krijuar, duke i siguruar se do të ndërmerren të gjitha hapat që atyre t’u sigurohet një banesë e sigurt, dhe në vazhdimësi, do të jepet mbështetje për strehimin në ndërtesa të reja, apo të rikonstruktuara.
Kreu i bashkisë Dedaj tha se, këshilli bashkiak i Mirditës ka marrë vendim për pagesën e qirave të të gjitha familjeve, banesat e të cilëve janë shpallur nga ekspertët si të pabanueshme.
Duke bërë një përmbledhje të gjendjes aktuale, Dedaj u shpreh se, “bashkë me Ministrin e Brendshëm vizituam banorët që janë strehuar këtu në konviktin e gjimnazit të Rrëshenit, dhe te shtëpia e murgeshave. Këta banorë janë strehuar që në momentin e parë që pallatet janë shpallur si të pabanueshme. Sot u shpall i pabanueshëm edhe ky pallat dykatësh, këtu, ku janë zhvendosur 4 familje, që po mendojmë dhe për këto për një strehim të shpejtë”.
Në lidhje me masat e marra nga pushteti lokal për strehimin e përkohshëm të shtetasve që u është dëmtuar banesa, Ndrecaj tha “para dy ditësh kemi marrë vendim të këshillit bashkiak për miratimin e fondit të qirasë prej 3 milionë lekësh (të reja) nga buxheti i vetë bashkisë, dhe në çdo moment këta banorë janë të mbuluar me qira nga bashkia Mirditë. U bëj thirrje banorëve të jenë të kujdesshëm që të mos kalojnë poshtë këtyre pallateve, deri sa të jepet zgjidhje përfundimtare, brenda jo e jo, që rrezikohet jeta në çdo moment”, u shpreh Dedaj.
/gj.mima/ /a.g/






















